As takimi me ambasadorin amerikan nuk e bind Haradinajn, s’ka heqje të taksës

0
230

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka folur në një konferencë për media pas mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës.

Haradinaj ka folur edhe për mundësinë që Qeveria që ai drejton ta heqë taksën e vendosur ndaj mallrave serbe, si dhe për takimin e sotëm me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett. Megjithatë, ai nuk ka treguar specifikisht se si do të veprojë Qeveria me këtë rast.

“Një takim i thirrur nga Veseli ka ndodhur sot me ambasadorin amerikan. Biseda ka qenë lidhur me dialogun dhe taksën dhe mundësitë që në të ardhmen me mbërri deri te një avancim në dialog. Kjo ka qenë ajo që është biseduar nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh”, ka thënë ai.

I pyetur se a do ta heqë Qeveria e Kosovës taksën ndaj Serbisë, Haradinaj u përgjigj.

“Ju e patë mbledhja e Qeverisë përfundoi”, tha ai.

Haradinaj tutje tha se Kosova është e interesuar që ta heqë taksën ndaj Serbisë, mirëpo se kjo do të bëhet vetëm me arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve që siguron njohjen reciproke.

“Edhe ne kemi dëshirë me e hek taksën dhe e synojmë atë për shkak se është sygjerim i aleatëve tanë pra Amerikës, por edhe se e ndërlidhim heqjen e taksës me një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë për njohje reciproke”, ka thënë ai.

“Më vjen keq që disa në Kosovë po mundohen me pri para temave po i shoh se janë ligë disa persona nga partitë politike por është mirë ata me mendu për fëmijët dhe të ardhmen e tyre. Është mirë me u mbyll çështjet e hapura Kosovë-Serbi, por për me u mbyll po duhet me i pas të qarta pozicionet. Kosovës më nuk mund t’i tregohet se çka duhet të bëj”, ka deklaruar kryeministri.

Sipas tij, taksa mund të mbes përgjithmonë nëse Serbia nuk ndryshon qëndrim.