Asamblistët e VV-së në Prishtinë ia kthejnë “shpinën” Shpend Ahmetit

0
223

Kuvendi i Komunës së Prishtinës nuk e ka miratuar raportin buxhetor të ekzekutivit për tremujorin e katërt për vitin 2017.

Kundër këtij raporti votuan edhe pjesa më e madhe asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të saj të koalicionit qeverisës, raporton KTV.

Madje, i pari që kundërshtoi këtë raport ishte asamblisti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, i cili tha se raporti i sjellë nga Drejtoria e Financave nuk është i plotë pasi në shumë raste mungojnë arsyetimet dhe shpjegimet për shpenzimet.

Ndërsa, asamblisti i LDK-së, Sokol Havolli, e cilësoi si ofendues e turpërues këtë dokument financiar, i cili sipas tij, as nuk mund të quhet raport pasi është qesharak, e madje edhe i palekturuar.

Pasi refuzoi që dokumentin e sjellë nga ekzekutivi ta quante raport, Blerand Stavileci i PDK-së, ka thënë se ky raport është më i keq edhe se i shumë komunave të vogla në Afrikë.

Shembull për këtë, ai ka marrë një raport buxhetor të komunës Knysna të Afrikës së Jugut, i cili sipas tij, mund të shërbejë si shembull për Drejtorinë e Financave të Komunës së Prishtinës.