Askush nuk mund t’i bëjë gjyq UÇK-së

Shkruan: Prof. Lisen Bashkurti
Në historinë moderne të popullit shqiptar, pavarësia e Kosovës është arritja më e madhe. Në këtë arritje rolin themelor e luajti Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila është krenari kombëtare.
Gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Federatës Jugosllave u përplasën interesa politike, ndëretnike, ekonomike dhe gjeopolitike. Ndër beteja u ndeshen ushtria tradicionale Jugosllave, e cila ishte e dominuar dhe e kontrolluar nga Serbia dhe një sërë ushtrish të reja që u krijuan në lufte sipër.
Analiza e ushtrive të reja të krijuara gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë është një nga indikacionet kryesore për të kuptuar aktorët e luftërave, qëllimet e tyre, burimet e mbështetjes së brendshme dhe orientimet gjeopolitike ndërkombëtare të vendeve e popujve që u përfshinë në këtë konflikt.
Nga kjo analizë e ushtrive të luftës shpërbërëse të Jugosllavisë rezulton se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka tipare shumë të ndritura dhe të dallueshme, për të cilat shqiptarët do të jenë përherë krenarë.
Së pari, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua tërësisht nga populli shqiptar i Kosovës. Asnjë mercenar nuk ka pasur në radhët e saj, as ushtarë të thjeshtë dhe as krerë drejtues politikë dhe ushtarakë të saj. Ndërkohë thuajse në të gjitha ushtritë e tjera si në ish-Armatën Jugosllave, ashtu edhe ato të krijuara në Kroaci dhe Bosnje & Hercegovinë ka pasur mercenarë dhe të huaj në të gjitha nivelet. Si e tillë Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u ndikua nga faktorë gjeopolitikë të huaj as gjatë luftës dhe as pas saj.
Së dyti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në territorin e Kosovës dhe luftoi vetëm brenda tij. Duke qenë shumë e qartë në qëllimin e saj, kjo ushtri luftoi për mbrojtjen e popullsisë shqiptare nga shfarosja e dhunshme serbe si dhe për çlirimin e vendit njëherë e përgjithmonë nga kolonializmi serb. Shumica e ushtrive të tjera në Jugosllavi gjatë luftës shpërbërëse tejkaluan territoret e shteteve dhe kryen veprime ushtarake pushtuese dhe kriminale mbi popujt fqinjë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk bëri as krime lufte, as gjenocid dhe as pastrime etnike mbi pakicat e ndryshme që jetonin në Kosovë dhe nuk ndërmori asnjë veprim ushtarak pushtues e kriminal jashtë territorit të Kosovës.
Së treti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës qysh në themelimin e saj u krijua mbi një strukturë politiko-ushtarake shumë moderne dhe profesionale. Ajo funksionoi me hierarki, me strategji, me rregullore rigoroze ushtarake, me uniforma dhe armatime ndërkombëtarisht të lejueshme për luftë. Ndërkohë, në disa ushtri të tjera u krijuan forca paramilitare ose paralele si dhe u përdoren armë kimike, mina kundër personit etj. Kjo do të thotë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndonëse më e reja në gjithë ish-Jugosllavinë respektoi plotësisht zakonet dhe ligjet e luftës.
Së katërti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u financua nga burimet vullnetare të popullit shqiptar në Atdhe dhe në diasporë. Fondi Vendlindja Thërret si dhe mbështetjet e tjera dytësore kanë qenë baza e blerjes së uniformave, armatimeve, municioneve, mjeteve logjistike dhe nevojave të tjera të luftës. Asnjë ndihmë nuk ka marrë kjo ushtri nga shtete, grupe apo individë të huaj me të kaluar trafikante, kriminale, pastrimi parash apo terroriste. Ushtritë e tjera patën edhe burime të errëta financuese nga shtete, grupe apo individë me të kaluar kriminale, ekstremiste dhe terroriste. Kjo do të thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua dhe mbeti e pastër në qëllimin, përbërjen dhe veprimtarinë e saj politiko-ushtarake.
Së pesti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk funksionoi si forcë rebele, guerile, revolucionare dhe e izoluar. Ajo u orientua menjëherë gjeopolitikisht drejt Perëndimit dhe strategjikisht drejt NATO-s. Kjo ushtri e re u vetëorientua si pjesë e Aleancës Euro-Atlantike dhe e tillë mbeti deri në përmbushjen e misionit të saj.
Së gjashti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës luajti edhe misione shumë të rëndësishme politike dhe diplomatike gjatë dhe pas luftës. Kjo ushtri u njoh ndërkombëtarisht si legjitime e popullit të Kosovës, hyri në kontakte dhe bisedime ndërkombëtare, mori pjesë në Konferencën e Rambujesë si dhe, kur mbaroi lufta, u shndërrua në mënyrë të vullnetshme në institucion politik qytetar, modern dhe demokratik që merr pjesë aktivisht në jetën pluraliste politike të Kosovës. Kjo do të thotë që vlerat e mëdha atdhetare, politike dhe morale, kombëtare dhe ndërkombëtare Ushtria Çlirimtare e Kosovës i barti pas luftës në proceset për pavarësi, shtetformim dhe demokraci në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike.

Lini një Përgjigje