ATK-ja lejon konkurrencë të pabarabartë ndërmjet bizneseve, mbi 13 mijë sosh pa arka fiskale

0
101

Administrata Tatimore e Kosovës ka ngecur në pajisjen e bizneseve me arka fiskale, gjë që ka quar në një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete ekonomike, si dhe mundësinë e evazionit tatimor.

Edhe më tutje, po vazhdon të mbetet sfidë për ATK-në fiskalizimi i plotë i të gjitha bizneseve që i plotësojnë kriteret për fiskalizim.

Numri i bizneseve që nuk janë të fiskalizuara, mirëpo sipas legjislacionit në fuqi kërkohet të pajisen me arka fiskale, në fund të vitit 2020 ishte 13,802 sosh, shkruan lajmi.net.

Kjo është evidentuar në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare të ATK-së për vitin 2020, i cili është hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Udhëzimi Administrativ nr. 02/2018 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, specifikon se të gjithë personat që bëjnë furnizime të mallrave dhe/ose shërbimeve në objektet, njësitë ose vendet të cilat mund të jenë në qasje të publikut, janë të obliguar që të shfrytëzojnë pajisjet elektronike fiskale (PEF) dhe pajisjet tjera të obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve. Më tutje, aty sqarohet se personi të cilit i referohet obligimi i përcaktuar dhe i cili njëkohësisht kryen edhe aktivitete që nuk janë të përjashtuara ose të liruara nga detyrimi i regjistrimit përmes arkës fiskale dhe të transferimit të të dhënave përmes terminalit te serveri i ATK-së, do të jetë i obliguar që çdo qarkullim individual gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve të regjistrojë përmes arkës fiskale si dhe t’i transferojë të dhënat përmes terminalit në server të ATK-së.

Auditori ka theksuar se, sipas zyrtarëve përgjegjës, ATK në vazhdimësi ka pasur probleme në realizmin e këtij projekti duke pasuar parasysh rrethanat dhe ekonominë e Kosovës dhe rezistencën e vazhdueshme të bizneseve për pajisjen me arka fiskale. Ndërkaq në vitin 2020, situata me pandeminë veçse e ka rënduar edhe më shumë këtë proces.

“Mos pajisja e tatimpaguesve me PEF e rrit rrezikun për mungesën e informatave gjatë veprimtarive ekonomike si dhe mundësinë e evazionit tatimor. Gjithashtu, kjo rezulton me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete ekonomike”, ka theksuar auditori, i cili i ka rekomanduar drejtorit të përgjithshëm se duhet të sigurojë se të gjitha bizneset të cilat i plotësojnë kriteret për fiskalizim do të pajisen me pajisjet elektronike fiskale (PEF) konform kërkesave ligjore.