Australia shpall gjendje emergjente shkaku i koronavirusit

0
188

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, të mërkurën e shpalli emergjencën e sigurisë biologjike njerëzore në vend dhe tha se të gjithë qytetarët duhet të heqin dorë nga udhëtimet e huaja për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Qeveria e ngriti në shkallën e katërt nivelin e këshillës zyrtare kundër udhëtimeve në të gjitha shtetet e botës dhe i ndaloi tubimet me më shumë se 100 persona në mjedise të mbyllura, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.

“Jeta është duke ndryshuar në Australi siç është duke ndryshuar në tërë botën. Jeta do të vazhdojë të ndryshojë përderisa po përballemi me koronavirusin global. Kjo është ngjarje e llojit një në njëqind vjet”, tha kryeministri Morrison.

Në Australi deri më tani janë konfirmuar gati 500 raste të infektimeve dhe gjashtë vdekje nga koronavirusi. Këto janë shifra relativisht të vogla në krahasim me vendet e tjera, por zyrtarët po shqetësohen nga mundësia e rritjes së numrit të rastëve në ditët e ardhshme.

Pavarësisht masave të reja, qeveria nuk vendosi që të mbyllen shkollat duke i cituar këshillat e ekspertëve mjekësorë. Megjithatë, disa shkolla private morën vendime të njëanshme për ndërprerjen e procesit mësimor.