Autoriteti i Konkurrencës thotë se çmimi i makiatos në Prishtinë do të kthehet ashtu siç ka qenë

0
87

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka konfirmuar se çmimet e kafesë nuk do të rriten.

Ai ka thënë se kanë bërë presion të madh mbi Shoqatën e Gastronomëve të Prishtinës, e cila përfaqëson kafiteritë, restorantet dhe hotelet kryesore të kryeqytetit dhe mbi Odën Ekonomike të Kosovës, që çmimet e kafesë të mos rriten.

“Shoqata e Gastronomëve është tërhequr nga këto veprime jashtëligjore dhe u bën thirrje të gjitha kafiterive që nëse ndodhë një marrëveshje për rritje çmimi, atëherë shoqata tërhiqet dhe bën thirrje që të jenë në binarët e ligjit, për mbrojtjen e konkurrencës. Marrëveshja është zhbërë”.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë presion të jashtëzakonshëm në Odën ekonomike dhe në Shoqatën e Gastronomëve, që të mblidhen dhe të bëhet thirrje që kush ka bërë marrëveshje të tillë, Oda ekonomike nuk qëndron mbrapa, dhe që kush ka bërë marrëveshje të tillë të zhbëhet, përndryshe ne si institucion shtetëror do të veprojmë”, ka konfirmuar ai për Telegrafin.

Prestreshi tha se nga konstatimet që i kanë bërë, jo në të gjitha kafetë e Prishtinës ka pasur rritje të çmimit të kafesë.

“Çmimet do të rikthehen siç kanë qenë. Nga konstatimet tona, ka ndryshime të çmimeve në disa lokale – nuk është e vërtetë që në të gjitha lokalet janë rritur çmimet”, tha ai.

Ditë më parë në disa lokale në Prishtinë është rritur çmimi i kafesë. Nga 0.70 centë sa ka qenë çmimi i një makiato të vogël, ajo është ngritur në 1 euro.