Azemi kritikon Kurtin: S’ka asnjë lëvizje për sektorin privat, po punësojnë të afërmit

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka kritikuar qasjen e kreut të Qeverisë, Albin Kurti karshi sektorit privat.

Azemi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Kurti nuk ka bërë lëvizjen më të vogël në lidhje me sektorin privat.

Ai komentoi edhe idenë e kreut të Qeverisë që numri i inspektorëve të rritet në 400.

Ai tha se “Ne kemi dëgjuar informacione se Kryeministri ka deklaruar se numri i inspektorëve do të jetë 400 por megjithatë për çdo ditë sa vjen e shtohen dëshpërimet sepse ato që i ka thënë kryeministri gjatë fushatës dhe para fushatës nuk do të jetë në gjendje me i reflektuar sepse nuk e kemi as lëvizjen më të vogël në lidhje me përmirësimin në sektorin privat”.

Ai tha se kanë bërë një kërkesë për një takim me Kurtin për ta njoftuar për gjendjen në sektorin privat.

Azemi akuzon Qeverinë se nuk kanë kohë të merret me përfaqësuesit e sektorit privat sepse ata janë pozicionuar për t’i zënë vendet e punës për të afërmit e tyre.

“Ne e kemi bë një kërkesë para dy jave për një takim me kryeministrin dhe ta njoftojmë me gjendjen në radhë të parë dhe me kërkesat tona, por ndoshta mund ta falim edhe për 1 javë sepse e dimë që agjenda e tij është jashtëzakonisht shumë e ngjeshur, por kryeministri ka bashkëpunëtorët e tij të cilët janë vlen që të fillohet iniciativa për ndryshimin e pagës minimale, për ndryshimin e rritjes së numrit të inspektorëve, po ashtu ata edhe vetë janë deklaruar që paga minimale të jetë 350 euro. Kryesisht ata janë pozicionuar që t’i zënë vendet për të afërmit e tyre sepse për punëtorët e sektorit privat nuk e kemi asnjë lëvizje”.

“Në pavarësisht se si reagon Qeveria e Kosovës, është shumë e vërtet që ne gjithë Kosovën nuk mund ta fusim në protesta sepse është një organizim shumë i madh dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Përderisa me arsye akuzohen njerëzit në Telekom me arsye që kanë marr 12 mijë euro, ne prapë po i themi kryeministrit Kurti që në sektorin privat po i humb miliona euro me vazhdimin e kësaj vije që e kanë”, tha Azemi për Ekonomia Online.

Vetëdijesimi i punëtorëve  ka ndikuar në uljen e numrit e vdekjeve në vendin e punës, tha Azemi.

“Viteve të fundit nuk është rrit  numri i vdekjeve në vendin e punës, në vitin 2018 kemi pasur 29 raste të vdekjeve në vendin e punës deri sot në vitin 2019 kemi pasur një rënie ku kanë qenë 17 raste dhe tani në vitin 2020 kemi një rast të vdekjes në vendin e punës. Është duke ra niveli edhe pse është një numër shumë i madh por niveli është duke ra dhe ndoshta kjo është një meritë e punëtorëve që pak a shumë janë vetëdijesua dhe nuk rrezikojnë jetën në vendet ku e shohin rrezikun”.

Azemi më tutje theksoi se inspektorati ka falimentuar për arsye se në komunën e Vushtrrisë, Mitrovicës, Zubin Potokut dhe i gjithë regjioni numërojnë rreth 15 mijë biznese dhe kanë vetëm një inspektor aktiv.

“Unë mendoj që inspektorati ka falimentuar me vetë fakti se në komunën e Vushtrrisë, Mitrovicës, Zubin Potokut dhe i gjithë ky regjion që llogaritet që i ka mbi 15 mijë biznese e ka vetëm një inspektor aktiv dhe të bënë me dije që defakto inspektorati është në falimentim”.

Lini një Përgjigje