Babadimri në Prizren dhe inkuizicioni islamik

Shkruan Bislim Elshani

“Dijon, 24. dhjetor 1952 (raporton France-Soir).

Dje pasdite Babadimri u var në portikun e katedrales në Dizhon dhe iu vu flaka publikisht në sheshin para katedrales. Ky ekzekutim spektakolar u zhvillua në prani të qindra fëmijëve nga klubet e djemve dhe vajzave të kishës. Ishte ky rezultat i një marrëveshjeje me klerin i cili Babadimrin e kishte gjykuar dhe dënuar si uzurpator dhe heretik. Ai ishte akuzuar se e kishte paganizuar festën e Kërshëndellave, duke u futur tinëzisht si një qyqe brenda çerdhes së zogjve të tjerë, për të pushtuar hapësira përherë e më të mëdha. Në mënyrë të veçantë ai u fajësua se ishte futur në të gjitha shkollat publike nga të cilat ishin shmangur paraprakisht në mënyrë sistematike skenat e lindjes së Krishtit.

Të dielën në ora tre pasdite mjekërbardhi fatkeq, ashtu si shumë të pafajshëm të tjerë, pagoi për gabimin për të cilin ishin fajtorë ata që duartrokitën ekzekutimin e tij. Zjarri kaploi mjekrën e tij dhe ai vetë u zhduk i tëri midis tymit.”

Kjo është hyrja e eseut të famshëm të Klod Levi Strosit “Babadimri në turrën e druve” në të cilin ai argumenton me fakte të shumta prejardhjen pagane të festës kryesore të Krishterimit. Gjithsesi, Babadimri, ashtu si Hallovini viteve të fundit, hyri në festat e Evropës perëndimore kryesisht përmes ndikimit amerikan dhe sidomos pas përtëritjes ekonomike evropiane përmes Planit Marshall.

Duke qenë se Franca ka kultivuar gjithmonë njëfarë arrogance kundrejt Amerikës, ishte skeptike dhe kundërshtuese ndaj çdo ndikimi kulturor amerikan. Amerika, ndërkaq, vetëm sa i kishte dhënë një shkëlqim të ri kësaj feste, rekuizitat kryesore të së cilës burojnë nga traditat mitike e legjendare, daneze, islandeze e gjermane: pema e vitit të ri, thasët e mbushur me dhurata që i shpërndan Babadimri përmes një saje të tërhequr nga disa çifte kaprojsh etj. etj., gjë që s’kanë asgjë të përbashkët me festën tradicionale të krishterë të lindjes së Krishtit.

Hoxhallarët tanë nga Prizreni e Prishtina, që s’marrin erë nga shkenca dhe që s’marrin mundimin të lexojnë një libër të vetëm sqarues për këto enigma, vazhdojnë të çirren e të anatemojnë kundër Vitit të Ri, pa pasur haber se ç’përfaqëson ai në të vërtetë, duke anashkaluar faktin që edhe vetë islamizmi është i përmbytur nga elementë paganë e gjurmë të qarta të idhujtarizmit, që nga simboli i hënës në majen e çdo minareje, dhe deri te uji zem-zem i Qabesë.

Me fushatën islamike kundër Vitit të Ri, a mos po paralajmërohet gjykimi i Babadimrit edhe në Prizren si në Francën e afro 7 dekadave më parë? Dhe këtë radhë, jo nga Kisha e nga priftërinjtë, po nga disa hoxhallarë të paditur e fanatikë?!