Bahri Fazliu apo simbioza e parimësisë dhe e skofiaritetit

E kisha parë dhe takuar disa herë bashkë me Raif Qelën në rrugën kah “Kodra e Diellit” në Prishinë. Raifi fliste me pietet për atë djalë atëherë shumë të ri në moshë. Pieteti me të cilin fliste Raifi për të më bënte të mendoja se do t’i jetë caktuar ndonjë përgjegjësi e lartë, madje atëherë mendoja t’i jetë ngarkuar ndonjë barrë e rëndë. Mendoja sikur në rastin e tij nuk është marrë shumë parasysh mosha dhe mundësia, por kryesisht përcaktimi dhe fakti se është vëllai i dëshmorit, Fahri Fazliu.

Po çdo gjykim i përciptë është i gabueshëm. Tek pas burgosjes së Raifit dhe pasi që Bahriu mori përsipër redaktimin e gazetës “Çlirimi”, organ i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, kuptova se përgjegjësia e kishte gjetur vendin e vet te personi sa parimor në qëndrime, aq edhe i pasur dhe i butë në ndjenja.

Në shkrimet e tij nuk gjeje as më të voglin lëshim parimor, nuk gjeje as më të voglën krekosje, nuk gjeje as më të voglin nënçmim…. Ai kur thërriste, thërriste në radhë të parë veten e tij, ai kur gjykonte, nuk gjykonte për të fashitur, por për t’u zgjuar dhe për të mobilizuar, si për shembull në poezinë e tij

“Të gjallëve”

“ Nëse dëshironi të dini amanetin e dëshmorëve,
mos pyesni kë kishin afër në çastin e fundit,
secili prej nesh ka qenë prezent
(…)
Nëse…
Çdo gjë që u intereson të dini për dëshmorët,
ecni në rrugën e tyre,
aty do të gjeni gjeninë e tyre”.

Bahriu parimësisë i dha edhe shpirt, e bëri atë të tingëllojë edhe skofiare siç ishte vetë me shpirtin e tij prej poeti e këngëtari, sepse parimësia ishte domosdoshmëri, siç e pasqyron edhe në poezinë e tij “Revoles”, që i ishte bërë si një gjymtyrë e trupit të tij:

Revoles

“Eh revole, revole
Mikja dhe armikja ime
Të urrej shumë
Sepse dua njerëzimin
Paqen,
Dashurinë,
Lirinë
Të dua shumë
Sepse dua njerëzimin
Paqen,
Dashurinë,
Lirinë
Revole, të urrej aq sa edhe të dua
Revole, do të të vras
Me dorën tënde
Për urrejtjen
Për dashurinë”.

Dikur e krahasoja me këtë apo atë dëshmor, me këtë apo atë hero, por Bahriu me diapazonin e veprës së tij, të shkrimeve dhe të qëndrimit të tij dhe të aktit sublim të rezistencës e të rënies është një kategori më vete.

Nexhmedin Gerguri, 9 maj 2020