Bajrami: Do të punohet për kthimin e ekonomisë në gjendje normale

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami deklaroi sot se pas implementimit të pakos së rimëkëmbjes ekonomike për shkak të pandemisë COVID-19, do të punohet që sa më shpejt që është e mundur të kompensohet rënia ekonomike dhe kthimin në gjendje normale.

Ajo gjatë takimit sot me kreun e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, është njoftuar me planet e ATK-së, me theks të veçantë trendin e të hyrave, të cilat në muajin maj kanë pasur një rikthim të normalitetit tatimor, pas periudhës kritike të pandemisë.

Drejtori i ATK-së njoftoi ministren Bajrami edhe me trajtimin e borxheve tatimore, për të cilat ka marrë vlerësime pozitive edhe nga institucionet ndërkombëtare, duke shtuar se situata e krijuar nga pandemia edhe tek pjesa e borxheve ka dhënë efektin e saj negativ.

“ATK nga data 12 mars 2020, pas vendimit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve ka ndihmuar Qeverinë e Kosovës me masat për parandalim e COVID-19, duke pranuar denoncime nga qytetarët dhe kryerje të inspektimeve të bizneset, të cilat kanë keqpërdoruar situatën e krijuar nga koronavirusi për të rritur çmimet e artikujve bazikë ushqimorë dhe shëndetësor, andaj, në mënyrë që të zbatohet në përpikëri ky vendim, ATK ka ulur në minimum aktivitetet e rregullta sipas Planit të Punës për 2020”, tha Murtezaj.

Ministrja Bajrami ndërkaq theksoi se me fillimin e implementimit të pakos së rimëkëmbjes së ekonomisë, konkretisht masat e parapara në periudhën afatshkurtër, do të koncentrohen që sa më parë të kompensohet rënia ekonomike dhe të kthehet në gjendje normale.