Banka Botërore: Ligji për paga mund të ketë ndikim negativ në rritjen ekonomike

Vonesat në planin e investimeve kapitale shkaku i zgjedhjeve të parakohshme dhe kostoja më e lartë sesa që është parashikuar e Ligjit të ri për paga në sektorin publik, rrezikojnë rritjen ekonomike prej 4.2 për qind të parashikuar nga Banka Botërore për vitin 2020-2021. Ndërkohë, deri në fund të këtij viti rritja ekonomike pritet të afrohet në 4 për qind, nga 3.8 për qind në 2018.

Në raportin “Pasiguria në rritje” për Ballkanin Perëndimor, të prezantuar të martën nga Banka Botërore, thuhet se konsumi privat pritet të shtojë 2.9 pikë përqindje në rritjen ekonomike, falë shkallës më të lartë të huadhënies për konsum, remitenca dhe pagave në sektorin publik dhe konsumi publik pritet të shtojë edhe 1.6 për qind, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sa u përket pagave, sipas BB-së, pagat më të larta në sektorin publik mund të bëjnë presion mbi pagat në sektorin privat, gjë e cila mund të minojë konkurrueshmërinë e eksportuesve kosovarë. Rreziqe fiskale, sipas BB-së, mund të lindin nga shpenzimet për kategoritë sociale, shpenzimet joproduktive të kapitalit dhe performanca potencialisht më e ulët e ndërmarrjeve në pronësi publike.

Kontributi i investimeve në rritjen ekonomike parashihet të jetë vetëm 1.1 pikë përqindje, sepse miratimi i vonshëm i Ligjit të buxhetit çoi në vonesën e ekzekutimit të planeve të investimeve publike.

“Zgjedhjet e vitit 2019 mund të vonojnë më tej ekzekutimin e buxhetit të kapitalit. Pavarësisht rritjes së fortë të eksporteve të shërbimeve, eksportet neto pritet të zbresin 1.4 për qind nga rritja ekonomike”, thuhet në raport.

Lini një Përgjigje