“Banka e Albinit” veç në letër

Hapja e Bankës Zhvillimore në Kosovë është njëri nga premtimet elektorale kryesore të Albin Kurtit, i cili shumë shpejt edhe mund të bëhet shef i qeverisë. Kjo bankë bazuar në premtimet e “Qeverisë Kurti” do të mund të nis së operuari brenda dy viteve. Por, sipas njohësve të ekonomisë, Banka Zhvillimore, nuk të mund të hapet në vendin tonë. Madje ata thonë se kjo bankë nuk i duhet fare Kosovës.

dhe pak ditë kanë mbetur kur në krye të shtetit të Kosovës do të ngjitet Albin Kurti. Nën drejtimin e Kurtit, Qeveria e Kosovës pretendon që të krijojë edhe Bankën Zhvillimore. Në fakt krijimi i kësaj banke është edhe ndër prioritet kryesore të Qeverisë Kurti.

Për Bankën Zhvillimore janë thurë edhe disa rreshta tek prioritet që ka paraqitur Lëvizja Vetëvendosje në raportin për qeverinë e ardhshme.

“Banka Zhvillimore do të jetë komponenti kreditues, i cili do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune e përmirësojnë bilancin tregtar duke u përqendruar në rritjen e eksporteve e zëvendësimin e importeve”, thuhet aty.

Në dokumentin ku paraqiten prioritetet e qeverisë Kurti flitet edhe për krijimin e Fondit Sovran dhe Agjencisë Zhvillimore.

“Qeveria jonë do ta zbatojë planin zhvillimor të mbështetur nga krijimi i Fondit Sovran, Agjencisë Zhvillimore dhe Bankës Zhvillimore. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj i kalojnë Fondit Sovran, i cili është fond investues dhe instrument i zhvillimit industrial. Agjencia zhvillimore drejtpërsëdrejti do të mbështesë sektorin privat dhe publik të Kosovës në arritjen e synimeve strategjike zhvillimore përmes rritjes së kapaciteteve të biznesit vendor, promovimit të investimeve të jashtme dhe të eksportit”, shkruhet nder të tjera në këtë dokument.

Por, sa mund të realizohen këto prioritetet, e në veçanti Banka Zhvillimore.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka marrë përgjigje nga Banka Qendrore e Kosovës, njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të Odës Ekonomike lidhur me mundësinë e krijimit të kësaj banke, “Bankës së Albin Kurtit”.

Në Bankën Qendrore të Kosovës nuk kanë qenë shumë të qartë në përgjigje, kur janë pyetur se a mund të krijohet Banka Zhvillimore në vendin tonë.

Në BQK vetëm kanë treguar se ata i zbatojnë ligjet që janë përcaktuar për hapjen e bankave.

“BQK-ja, në zbatim të përgjegjësive ligjore si autoritet licencues i institucioneve financiare në vend, angazhohet në rregullimin e hyrjes në treg të investitorëve potencialë, duke përcaktuar kritere për licencimin e institucioneve, që posedojnë kapital të mjaftueshëm për mbështetjen e aktiviteteve të parapara, që prezantojnë përgatitjet e duhura për vlerësimin dhe monitorimin e rrezikut, politika dhe procedura adekuate për kontrollin e tij, si dhe administratorë me nivel të lartë kualifikimi, profesionalizmi dhe etike”, thuhet në përgjigjet e BQK-së për FaktePlus.

“Premtimi për të hapur qeveria bankë zhvillimore është i gabuar dhe i pamundur”

E Berat Rukiqi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se është skeptik se një bankë e tillë mund të hapet në Kosovë.

“Ne jemi skeptik sa i përket Bankës Zhvillimore, ne e kemi një sistem bankar me të metat e veta dhe të mirat e veta. Ajo që duhet parë është që të shikojmë mundësitë se si brenda sistemit bankar të ulen normat e interesat dhe të krijohen kushte më të mira për qytetarët dhe për bizneset”, ka thënë Rukiqi për FaktePlus.

Ai thotë se më e mirë se një Bankë Zhvillimore është një Fond Zhvillimor, i cili do të përkrahte bizneset e vogla dhe të mesme, në formë të grandeve apo në një formë tjetër të përkrahjes financiare për projekte investive të cilat, sipas tij, janë shumë të rëndësishme për rritje të prodhimit apo të eksporteve.

“Këto janë çështje terminologjike dikush mund ta kuptoj fondin njëjtë si bankën, por dallojnë, në esencë dallojnë, në mënyrë të funksionit dhe rezultateve që ata i japin. Kur është shpjeguar Banka Zhvillimore unë kam kuptuar më shumë si një Fond Zhvillimor ndoshta është dukur më interesant të quhet bankë, por në këtë konstulacion bankar që e kemi është e vështirë që të kemi një bankë shtetërore. Prandaj këto alternativa që i kanë bërë edhe vendet e tjera që kanë krijuar fonde për përkrahje të eksportit apo fonde për bizneset e vogla dhe të mesme janë shumë më të mira se sa një bankë e krijuar nga shteti”.

Edhe njohësi i ekonomisë bankare, Milazim Abazi thotë se premtimi për të hapur qeveria bankë zhvillimore është i gabuar dhe i pamundur.

“Premtimi për të hapur qeveria bankë zhvillimore është i gabuar dhe i pamundur. Në ketë rast vendit do t’i shtohej edhe një ndërmarrje publike, ndërsa dihet mirëfilli se të gjitha ndërmarrjet publike janë çerdhe të korrupsionit”, ka thënë Abazi.

Ai thotë se hapja e një banke në pronësi të shtetit do ta dëmtonte në tërësi edhe sistemin bankar në Kosovë.

“Në një bankë ku pronare është qeveria, ministrat do të ndikonin në miratimin e kredive ndoshta edhe duke i shkelur kriteret profesionale. Edhe në të kaluarën ka pasur përpjekje që PTK të hapë Post Bank dhe kjo fatmirësisht nuk u lejua nga BQK sepse kjo do t’ia shpinte edhe një problem më shumë Kosovës siç është sot problemi i Telekomit”.

Sipas Abazit, qeveritë demokratike nuk themelojnë banka, por sipas nevojës ato formojnë fonde zhvillimore për nevoja të zhvillimit të fushave të caktuara me interes për qeverinë dhe publikun.

Kur mund të nis punën kjo bankë, sa do të jetë kapitali i saj?

Kurse, Hekuran Murati, që tashmë është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës së fushatës së mbajtur në Kosovë kishte treguar se si kjo bankë do të themelohet dhe si do të financohet.

Ai ka treguar se kapitali fillestar i kësaj banke do të jetë 50 milionë euro.

“Kapitali fillestar do të jetë kapital shtetëror, kapitali i themelimit të bankës që mundet me qenë diku rreth 50 milionë euro. Ndërsa financimi i vazhdueshëm do të jetë prej shitjes së letrave të borxhit të garantuara nga shteti. Pra, në këtë mënyrë krijohet financimi i vazhdueshëm dhe krijohen mjetet për të lëshuar kredi për zhvillim të industrive të caktuara, si fokus do të jetë bujqësia dhe industria ushqimore me synim të zëvendësimit të imporit”, kishte thënë ai.

Murati ka treguar se kjo bankë zhvillimore mund të filloj brenda vitit të parë ose të dytë.

“Kredia e parë kur do të lëshohet, është vështirë të thuhet, por po besoj që duke i marrë parasysh procedurat, ku duhet marrë licencë nga banka qendrore, por mundet me qenë brenda vitit të parë ose brenda vitit të dytë”.

Murati ka thënë se norma e interesit mund të jetë 2 deri në 2.5%.

“Se sa do të jetë përqindja e interesit, kjo do të bëhet në koston e huamarrjes, e cila aktualisht për shtetin është nën 2%, shto aty tani edhe një marzhë të administrimit edhe mund të jetë 2 deri në 2.5 % norma e interesi, pra po flasim për kredi të butë, me afat të gjatë të kthimit dhe me grace periudhë”.

Bankat Zhvillimore është bankë që shtetet e krijojnë për të mbuluar hendekun e nevojave të investimeve afatmesme dhe afatgjata në sektorë të ndryshëm. Këto institucione nuk janë zëvendësim për institucionet financiare, por duhet të shikohen më shumë si plotësuese në arkitekturën financiare të shtetit, të cilat mund të ofrojnë financim shtesë për nevojat sektoriale. Investimet e llojit të kësaj banke tentohet të jenë në infrastrukturë apo në ato sektorë ku vërehet deficiti i investimeve të cilat mund të kufizojnë rritjen ekonomike brenda vendit apo rajonit.

Banka të tilla ka në Kroaci, Slloveni, Hungari, Danimarkë.

Në Kosovë, sipas Vetëvendosjes, Banka Zhvillimore do të shërbente shumë në funksion të ekonomisë, duke ofruar kredi afatmesme dhe afatgjata për sektorët me potencial por që i’u mungon qasja në kapital.

Bankat zhvillimore zakonisht financohen nga shteti dhe lëshojnë instrumente të borxhit me periudha afatgjata. Shpesh ndodh që edhe shtetet tjera të kontribuojnë me kapital si formë e ndihmës për të përmirësuar ekonominë e një vendi, dhe si kanal më i përshtatshëm për planifikim dhe zbatim të projekteve se sa nëpërmjet qeverive. Në Kosovë, Banka Zhvillimore mund të krijohet me anë të kontributit nga buxheti i Qeverisë, sa për fillim; lëshimi i letrave me vlerë (obligacioneve) për të cilat garant do të jetë qeveria; kredi afatgjate nga bankat zhvillimore rajonale dhe ato nga shtetet e zhvilluara (për shembull: BERZH, KfW etj); dhe pjesëmarrja me kapital të shteteve mike, të cilat do ta zvogëlonin riskun dhe si rezultat koston e financimit.

Në Kosovë sot operojnë 10 banka komerciale dhe përbëjnë 67.5 për qind të aseteve totale të sektorit financiar. Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër kredi, e-banking.

Në të njëjtën kohë, bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë të kenë fitime marramendëse. Prej janarit deri në gusht të këtij viti, së bashku ato kanë realizuar një profit neto prej 58.5 milionë euro.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës, në total të hyrat e sektorit për ketë periudhë ishin 177.2 milionë euro, ndërsa shpenzimet 117.8 milionë euro.