Bankat mbyllin dhjetëra degë nëpër Kosovë, rrezikohen shërbimet e qytetarëve

Numri i nëndegëve të bankave po bie dukshëm. Bankat kanë promovuar shërbimet e-banking si alternativë e vizitave në degë, mirëpo numri i këtyre llogarive ka rënë dukshëm në këtë periudhë për rreth 50 mijë llogari, përcjell Buletini Ekonomik.

Në bazë të ligjit, mbyllja e degëve nga bankat nuk mund të bëhet pa aprovimin paraprak të BQK-së.

Kjo e fundit, në përgjigjet e tyre për mbylljen e nëndegëve ka sqaruar se gjatë vitit 2017, Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës ka miratuar mbylljen e 26 nëndegëve bankare, ndërsa gjatë vitit paraprak, sipas saj janë mbyllur gjithsej 21 nëndegë. Po ashtu, Banka Qëndrore ka bërë të ditur se edhe gjatë periudhës janar/qershor të këtij viti është mbyllur një nëndegë bankare.

Pra, sipas BQK-së vetëm gjatë tri viteve të fundit, duke përfshirë edhe vitin 2019 deri më tani, janë mbyllur 48 nëndegë bankare.

Ndërkaq, sa i përket hapjeve të reja të degëve dhe nëndegëve bankare, ky institucion ka miratuar hapjen e katër degëve ose nëndegëve bankare gjatë dy viteve të fundit, dy në vitin 2017, dhe dy në 2018-tën.

Sipas raportit të stabilitetit financiar të BQK-së, në vitin 2017 numri i degëve bankare ishte 45, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur për dy degë më shumë, pra 47. Kurse numri i nëndegëve ishte zvogëluar nga 183 sa ishin në vitin 2017, në 165 më 2018.

Rënie në rrjetin e sektorit bankar kanë shënuar edhe ATM-të, nga 512 në 412, ndërkaq llogaritë e-banking kanë shënuar një rënie të konsiderueshme për rreth 50 mijë llogari, nga 301.841 llogari, në 250.733 llogari.

Përkundër këtyre rënieve të këtyre llogarive, BQK-ja nuk e ka marrë si shqetësim rrezikun që mund t’iu kanoset qytetarëve për qasje në këto shërbime, pasi që sipas tyre nuk ka asnjë rrezik ose ndonjë kufizim për konsumatorët në shërbimet e pagesave, dhe çdo lloj i pagesave mund të kryhet përmes bankave apo IFJB-ve që ofrojnë shërbimin e pagesave. Për më tepër, ky institucion ka deklaruar se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë për kufizim në shërbimet bankare që i ofrojnë këto nëndegë qytetarëve.

Lini një Përgjigje