Baraliu: Kurti para takimit me Thaçin do duhej t’i kishte 61 nënshkrime të deputetëve

0
167

Presidenti Hashim Thaçi ka ftuar për në orën 15:00 kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin për t’u konsultuar për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë.

Por njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu në një prononcim për Ekonomia Online thotë se Kurti para se të takohej me Presidentit do të duhej të siguronte 61 vota të deputetëve në mënyrë që ta bind atë se është i denjë për t’u mandatar për formimin e qeverisë së re.

“E para do të duhej që mandatari për formimin e qeverisë ta njoftonte presidentin që e ka shumicën e votave për t’u votuar qeveria e tij eventuale në parlament që do të thotë 61 vota të sigurta dhe presidenti pastaj nga bindja që mund të krijojë dhe argumentet që i parashtrohen do t’i propozojë sipas nenit të 95 të Kushtetutës Kuvendit të Kosovës që në seancën  tjetër pasuese ta zgjedh qeverinë e tij”.

“Patjetër që do të duhej 61 vota dhe argumenti që duhet ta ilustrojë para presidentit mandatari dhe do të duhej ta kishte listën prej 61 deputetëve me nënshkrimet e tyre dhe konfirmimet e tyre. Por meqenëse se ne jemi në një situatë kur dy subjektet politike në tentativa për të bërë qeverinë ose marrëveshjen për qeverinë nuk kanë arritur ende një marrëveshje të tillë, po mbase bindja e presidentit nga argumentet e mandatarit se do t’i ketë ata numra dhe do ta ketë mundësinë që edhe në koalicionin qeverisës me LDK-në dhe minoritet tjera pakicë jo serbe atëherë ai mund ta dërgojë propozimin e tij drejt kuvendit për ta mbajtur një seancë tjetër në të cilën do të duheshin 15 ditë përgatitje që i jepen mandatarit të votohet qeveria e tij”, thotë ai.

Profesori universitar ka shpjeguar edhe procedurat që duhet ndjekur deri në formimin e qeverisë.

“Prej këtij momenti i duhet mandatarit 15 ditë që ta bëjë përgatitjen e duhur për ta dërguar çështjen e votimit dhe realizimin e mandatit të presidentit në parlament ku do të duhej që me shumicë votash votash prej 61 deputetësh kabineti qeverisës i Albin Kurtit ta marr voton për të formuar qeverinë”, thotë ai për EO.

Nëse dështon kjo përpjekje, Baraliu thotë se ekziston edhe një afat tjetër kushtetues pre 10 ditësh dhe nëse edhe gjatë kësaj kohe nuk arrihet të votohet qeveria, presidenti sipas Kushtetutës duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja.

“Nëse nuk arrihet brenda 15 ditësh atëherë sipas nenit 95 ekziston edhe një afat tjetër kushtetues që është 10 ditë dhe i jepet mundësi që këtij kandidati ose një kandidati tjetër t’i jepet mandati në mënyre që të bëhet qeveria dhe në qoftë se edhe në afatin e dytë kushtetues prej 10 ditësh nuk bëhet qeveria atëherë Presidenti i vendit sipas Kushtetutës duhet t’i shpallë zgjedhjet të cilat nuk mund të mbahen më vonë se 40 ditë”, thotë ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor 2019, si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.