Barcelona ka thyer rekordin historik në La Liga

Barcelona e ka mposhtur 2-1 Valencian të shtunën pasdite, duke iu afruar edhe më shumë titullit kampion në La Liga, si dhe duke e ruajtur epitetin e skuadrës së pamposhtur në ligë në 39 ndeshjet e fundit, gjë që përbën rekord historik në ligen elitare spanjolle.

Barcelona ka thyer sot rekordin e Real Sociedadit për ecurinë më të gjatë si skuadër e pamposhtur në 38 ndeshje në ligë nga viti 1980. Skuadra katalane tani është skuadër e pamposhtur në 39 ndeshje në La Liga.

Skuadra e Ernesto Valverdes, që në mesjavë përjetoi tronditje duke u eliminuar nga Liga e Kampionëve pas humbjes 3-0 ndaj Romës, vuajti në fillim të ndeshjes por ishte ajo që shënoi për epërsinë 1-0, kur Suarez shënoi pas një super asisti nga Coutinho në minutën e 15-të.

Valencia vazhdoi të krijoi më shumë raste por pa arritur të shënojë, krejt kjo si pasojë e pritjeve të jashtëzakonshme të Marc-Andre ter Stegen. Më kaq u mbyll pjesa e parë e ndeshjes së javës së 32-të të La Ligës.

Barcelona u fut më vrullshëm në pjesën e dytë dhe pas vetëm gjashtë minutave gjeti golin e dytë, kur Samuel Umtiti shënoi me kokë pas një rivënie nga këndi.

Edhe në vazhdim ndeshja ishte mjaft e hapur dhe me raste nga të dy skuadrat. Valencia arriti ta ngushtojë epersinë e Barçës në 2-1, pas golit të Dani Parejos nga penalltia në minutën e 83-të.

Tani që kanë mbetur vetëm edhe gjashtë javë deri në përfundim të kampionatit, Barcelona është liderë me 82 pikë, 14 më shumë se Atletico Madridi në vendin e dytë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Valencia mbetet në vendin e tretë me 65 pikë, një më shumë se Real Madridi në vendin e katërt.