Bashkimi Evropian përballet me pesë sfida globale

Shkruan: Sigmar Gabriel

Bashkimi Evropian, dhe në veçanti Gjermania, duhet të reagojnë para sfidës së re të paraqitur nga tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga lidershipi global. Por, duke pasur parasysh konkurrencën e re nga Kina, së bashku me aspiratat e rinovuara të Rusisë, vendet perëndimore duhet të gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar më ngushtë.

Për këtë qëllim, pesë çështje duken thelbësore. E para është marrëdhënia e Gjermanisë me SHBA-në, e cila tani është nën një stres të madh. Problemi është dështimi i Gjermanisë për të rritur shpenzimet vjetore të mbrojtjes në dy për qind të GDP-së, siç u pajtua në samitin e NATO-s 2014 në Uells. Për arsye të qarta historike, Gjermania ka hezituar të bëhet fuqia ushtarake de facto e Evropës. Nëse do të përmbushë angazhimin e saj për të rritur këto shpenzime, ajo do të ndante 80 miliardë euro (89 miliardë dollarë) në vit për Bundeswehr, që është 46 miliardë euro më shumë sesa shpenzon Franca.

Megjithatë, për të përmbushur pjesën e saj brenda aleancës pa rritur frikën në Evropën Lindore, Gjermania mund të shpenzojë 1.5 për qind të GDP-së së saj për materiale dhe personel, ndërsa angazhohet për një shtesë prej 0.5 për qind për të financuar operacionet e NATO-s në Baltik dhe në Poloni. Kjo do të përforconte si aftësinë e shteteve anëtare lindore për të mbrojtur veten kundër agresionit rus, si edhe do të demonstronte gatishmërinë e Gjermanisë për të marrë më shumë përgjegjësi.

Çështja e dytë e madhe janë marrëdhëniet SHBA-BE. Sfidat e menjëhershme me të cilat përballen Amerika dhe Evropa kanë ndryshuar gjatë shtatë dekadave të fundit. Së fundmi, Rusia e ka zgjeruar sferën e saj të ndikimit në Krime, Ukrainën lindore, dhe Detin e Azovit, dhe Kina ka filluar të mbrojë dominimin e saj ekonomik dhe teknologjik në Euroazi.

Në të njëjtën kohë, demokracitë perëndimore po përpiqen të përballen me përçarjet e shkaktuara nga globalizimi, emigracioni, teknologjia dhe ndryshimet klimatike. Mes përkeqësimit të sigurisë ekonomike dhe kohezionit social, lëvizjet populiste dhe nacionaliste kanë shfrytëzuar ankthet e votuesve duke premtuar se do të mbrojnë atdheun kundër elitave kozmopolitane dhe institucioneve multilaterale që kanë mbështetur politikën dhe ekonominë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pavarësisht retorikës populiste, globalizimi ekonomik në të vërtetë ka krijuar prosperitet dhe ka ulur varfërinë, si edhe ka hapur mundësi të reja zhvillimi në të gjithë botën. Por pa mbështetjen e Perëndimit, ky sistem nuk mund të mbahet. Ajo që na duhet tani për të hapur mundësi të reja për rendin botëror është një globalizim i shoqërisë civile, si edhe t’i kujtojmë njerëzve dhe komuniteteve se shteti është akoma i aftë të të veprojë në mënyrë efektive. Kjo fillon duke investuar më shumë në arsim, studim dhe infrastrukturë, ndërkohë që krijon një ekuilibër midis bashkëpunimit ndërkufitar dhe respektimit të idiosinkracive kulturore.

Kjo na çon në çështjen e tretë: Rusia. Këtu, ndjekja e një politike të ekuilibruar nga ana e BE-së ka krijuar fërkime brenda aleancës transatlantike, siç ilustrohet nga tensionet për gazsjellësin “Nord Stream 2”, një projekt i përbashkët ruso-gjerman. Sipas mendimit të qeverisë gjermane, “Nord Stream 2” është krejtësisht një çështje ekonomike. Kompanitë gjermane, franceze dhe të tjera evropiane kanë investuar shumë në këtë projekt. Gjithsesi, do të ishte një gabim i rëndë politikë të ndërhyhej në tregun privat evropian të gazit.

Liberalizimi i tregut të gazit ka lejuar një zgjerim të jashtëzakonshëm të furnizimit me energji të Evropës. Në fund të fundit, kompanitë, duke ndjekur sinjalet e tregut, duhet të vendosin se nga kush e blejnë gazin e tyre. Por as evropianët nuk mund të shpërfillin kërcënimet ndaj pavarësisë politike të vendeve fqinje siç është Ukraina – të cilën “Nord Stream 2” e anashkalon. Në bilanc, një mënyrë më e mirë për të siguruar furnizimin me energji të Evropës do të ishte zgjerimi dhe integrimi i mëtejshëm i infrastrukturës së gazit natyror të Evropës, duke ndërtuar më shumë terminale për gaz natyror të lëngshëm. Në këtë mënyrë, asnjë vend – qoftë një shtet anëtar ose partner i ngushtë – nuk mund të mbahej peng si rezultat i varësisë së tij ndaj energjisë ruse.

Çështja e katërt është Kina, e cila ka bërë të qartë se kërkon një rishikim të ekuilibrit ndërkombëtar të fuqisë. Nga ana e saj, administrata Trump me të drejtë e sfidoi Kinën në tregti. Nuk mund të ketë “tregti të ndershme” kur një vend që nuk luan me të njëjtat rregulla si të gjithë të tjerët organizon dy të pestat e ekonomisë globale. Kina ofron subvencione në industritë e saj, kufizon hyrjen në tregjet e saj dhe shkel në mënyrë rutinë të drejtat e pronësisë intelektuale. Për më tepër, modeli i kapitalizmit shtetëror autoritar të Kinës paraqet një sfidë të dyfishtë, sepse ai përfaqëson konkurrencë ekonomike dhe një model politik alternativ. BE-ja dhe Amerika duhet të hartojnë urgjentisht rregulla të qarta, të dakorduara reciprokisht, për t’u përballur me Kinën.

Çështja e pestë e rëndësishme është roli i Evropës në botën më të gjerë. Nëse Evropa nuk hap sytë para realiteteve të rivalitetit të ri kino-amerikan, ajo mund ta gjejë veten në një pozicion gjeopolitik të parëndësishëm. Në fakt, tashmë ka shenja që tregojnë rënien e rëndësisë globale të Evropës. Luftërat dhe konfliktet përgjatë periferisë evropiane po vendosen gjithnjë e më shumë nga fuqi të tjera, me Evropën që nuk luan asnjë rol të dukshëm në zgjidhjen e tyre.

Ngurrimi i Evropës për të treguar veten e saj ka një dimension politik. Për arsye të mira, BE-ja ka qëndruar prej kohësh nën ombrellën e sigurisë së SHBA-së, me Bashkimin që qëndron mënjanë. Por ai konceptim gjeopolitik i Evropës është një produkt amerikan, i bazuar në Planin Marshall. Siç e tha edhe sekretari i parë i përgjithshëm i NATO-s, Hastings Ismay, qëllimi i NATO-s ishte “të mbajë rusët jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët poshtë”.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga vitet ’50. Sot, ne evropianët po fillojmë gradualisht të kuptojmë se duhet të përshtatemi me realitetet gjeopolitike të shekullit XXI. Epoka e Atlantikut po i hap rrugë epokës së Paqësorit. Evropianët nuk duhet të ushqejnë iluzione se gjërat do të përmirësohen vetë. Tani është koha të gjejmë kurajën dhe vullnetin për të marrë përsipër përgjegjësinë për interesat tona strategjike.

/Burimi: Project Syndicate/Në shqip nga: Reporter.al/