BE-ja hap kufijtë për Ballkanin dhe për kosovarët që kanë viza

Qytetarët e Kosovës, natyrisht nëse kanë viza, dhe ata të vendeve tjera të rajonit të Ballkanit perëndimorë, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së nga 1 korriku kur do të duhej të hapeshin kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian. Këtë propozim për vendet anëtare për hapjen e kufijve e ka dhënë sot Komisioni Evropian duke konfirmuar kështu se kufizimet për hyrje në BE, të caktuara deri me 15 qershor, do të vazhdojnë për vendete Ballkanit perëndimor edhe dy javë por do të duhej të hiqen prej 1 korriku.

Komisioni ka propozuar që për vendet tjera kufizimet të vazhdohen nëse është e nevojshme dhe që heqja e tyre të jetë sipas situatës epidemiologjike në ato vende, bazuar në kapacitetet e testimit dhe vëzhgimit të lëvizjes së të infektuarve sikur edhe në baza reciproke nëse ato vende kanë kufizime për lëvizjen e shtetasve të BE-së, raporton korrespondenti i KOHËS nga Brukseli.

Komisioni ka propozuar që nga 1 korriku të hiqen kufizimet për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e veriut, Malin e zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë duke e arsyetuar këtë rekomandim me situatën epidemiologjike në këto shtete si dhe dëshirën e Komisionit Evropian që ato të jenë sa më shumë të përfshira në zbatimin e udhërrëfyesit për zbutjen e masave të kufizimit të lëvizjes.

“Situata epidemiologjike e tyre është e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në BE”, thuhet në komunikatën e Komisionit evropian me të cilën arsyetohet rekomandimi për heqjen e kufizimit të hyrjes së shtetasve të huaj në BE për vendet e Ballkanit perëndimorë.

Në rastin e Kosovës, i vetmi shtet nga rajoni për të cilin vlen regjimi i vizave sepse nuk ka liberalizim të tyre, është i rëndësishëm edhe rekomandimi i Komisionit evropian drejtuar shteteve anëtare që rifillojnë edhe me procedurat për dhënien e vizave. Këto procedura do të duhej të zhvillohen duke shtuar masat e parandalimit të përhapjes së virusit e në veçanti duke ruajtur distancën, evituar sa më shumë që të jetë e mundur kontaktet fizike, inkurajimin e aplikimeve online apo përmes postës.

Në rast të rritjes së dukshme të rasteve në ndonjë shtet BE mban mundësinë e rikthimit të masave të kufizimit të hyrjes së shtetasve të atij shteti në BE.

Komisioni jep vetëm rekomandime ndërsa vendimet për heqjen e kufizimeve merren nga vendet anëtare.

Në të njëjtin rekomandim Komisioni Evropian ka kërkuar nga të gjitha vendet anëtare që të hapin kufijtë e tyre të brendshëm dhe të heqin të gjitha kufizimet në to më së voni deri me 15 qershor. Të gjitha këto masa ishin vendosur nga shtetet anëtare për të parandaluar apo ngadalësuar përhapjen e korona virusit.