BE-ja konfirmon mënyrën e vetme për marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq ka reaguar në pyetjen nga “Tanjug” se si mund të arrihet vazhdimi i dialogut në Bruksel pas platformës nga Prishtina.

Platforma e Prishtinës për dialog me Serbinë është “pozitë individuale e negociatave dhe në të nuk mund të bazohet kompromisi” kanë thënë burime diplomatike nga Brukseli për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Në të njëjtën kohë, Prishtina është paralajmëruar se nuk do të ketë mundësi të vijë në Bruksel dhe ta paraqesë platformën e saj, nëse fillimisht nuk e heq taksën ndaj mallrave serbe.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq në një pyetje nga “Tanjug” se si e sheh mundësinë e vazhdimit të dialogut në Bruksel pas platformës nga Prishtina ka porositur se për Serbinë, Kosovën dhe tërë rajonin “dialogu është e vetmja mënyrë për të shkuar përpara”.

Në emër të BE-së, Kocijançiq edhe një herë i ka bërë thirrje krerëve nga Prishtina që “menjëherë të pezullojnë taksën ndaj mallrave serbe në mënyrë që më shpejtë të arrihet deri te vazhdimi i dialogut”.

“Së pari taksa duhet të hiqet. E dyta, kur bëhet fjalë për pozita individuale, ato kurrë nuk i komentojmë. Në fund, vetëm nëpërmjet bisedimeve mund të arrihet një marrëveshje finale”, u shpreh ajo.