BE-ja refuzon të komentojë deklaratën e Thaçit për Lajçakun, kërkon që dialogu të rinisë sa më shpejt

Zyra për Punët e Jashtme e Bashkimit Evropian ka refuzuar të komentojë deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se nuk do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë, nën udhëheqjen e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të nisë sa më shpejt që është e mundshme.

“Ne nuk komentojmë këtë deklaratë të z. Thaçi. Dialogu duhet të vazhdojë sa më shpejtë që të jetë e mundshme, sapo që situata e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit ta mundësojë këtë. Ne kemi theksuar për një kohë të gjatë se është vendimtare që të rifillojë dialogu për t’i dhënë rajonit një perspektivë evropiane. Bashkimi Evropian lehtëson dialogun që nga fillimi më 2011 dhe vazhdon të punojë përmes Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell – tani të përkrahur nga Përfaqësuesi i Posaçëm, Mirosllav Lajçak”, ka thënë Stano.

Thaçi sot gjatë ditës vuri në dyshim seriozitetin e BE-së duke thënë se dy njerëzit kryesorë për këtë çështje vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke iu referuar sllovakut Lajçak dhe spanjollit Borrell.

Mirëpo, sipas Stanos, emërimi i Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun, reflekton rëndësinë të cilën shtetet anëtare i kushtojnë këtij dialogu.

“Emërimi i Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për rajonin reflekton rëndësinë që shtete anëtare ia kushtojnë dialogut. Përfaqësuesi i Posaçëm i ri është vazhdimisht në kontakt me të gjithë partnerët e rëndësishëm për të dëgjuar pikëpamjet e tyre, pritjet dhe shqetësimet në mënyrë që të përgatisë terrenin, ashtu që dialogu të vazhdojë pa vonesë. Gjithsesi, koha, agjenda dhe ritmi i dialogut nuk varen nga BE-ja, por formohen bashkë me të dy palët dhe zotësitë e tyre për t’u pajtuar”, ka thënë tutje ai.

Ditë më parë, dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermania e Franca, përmes ministrave të Jashtëm, në një artikull botuar në Koha Ditore, kërkuan rifillimin e menjëhershëm të dialogut, nën udhëheqjen e BE-së.

Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria Haradinaj vendosi taksë ndaj mallrave të Serbisë.