BE: S’ka dialog pa heqjen e taksës

0
339

Zyra e Bashkimit Europian në Bruksel, ka konfirmuar për Metron se agjenda dhe formati i dialogut Kosovë – Serbi tashmë është vendosur nga të dyja palët, por një proces i tillë s’mund të vazhdojë pa anulimin e taksës nga pala kosovare ndaj mallrave serbe. Madje, nuk kanë paraparë as edhe një takim në nivel presidentësh, derisa kjo kërkesë e tyre të mos plotësohet, raporton Gazeta Metro.

Bashkimi Europian ka bërë të ditur se nuk ka vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi, pa anulimin e taksës. Ndërsa kërkojnë nga palët të jenë më të shpejtë në dialog, duke nënkuptuar heqjen sa më shpejtë të taksës, së vendosur nga Qeveria e Kosovës.

‘Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të tregohen të shpejtë në angazhimin e tyre në dialog, në mënyrë që të ndërlidhin normalizimin e marrëdhënieve me perspektivat konkrete për aspiratat e tyre për në Bashkimin Evropian dhe për përfitimet konkrete për qytetarët,’ kanë thënë nga Zyra e BE’së për Metron.

‘Për tarifat pozicioni ynë është i qartë: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur tatimin për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Herrcegovina me 100 %, është një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës’, kanë thënë nga kjo zyrë.

Ndërkohë, në pyetjen e Metros se kur do zhvillohen bisedimet në nivelin e lartë politik, pra ndërmjet dy presidentëve, atij të Kosovës dhe të Serbisë, u bë e ditur se nuk është parashikuar deri tani asnjë takim.

‘Ritmi, Agjenda, Formati i dialogut janë vendosur nga të dy palët. Nuk ka asnjë takim të parashikuar për të ardhmen’, thuhet në përgjigjen e tyre për Metron.

Kujtojmë se, Mogherini dje gjatë ditës priti për herë të parë për takim në Bruksel, ekipin negociator të Kosovës, ku me dy bashkëdrejtuesit e delegacionit, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, foli në lidhje për përfundimin e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo kërkoi që urgjentisht të shfuqizohet taksae vendosur prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe të atyre të Bosnjë e Hercegovinës./Gazetametro.net/