Bislimi thotë se ka “shkallë impresionuese” të uljes së papunësisë në Kosovë

Në qëndrimin e tij në Budapest, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ishte i ftuar në Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare (HIIA), ku ligjëroi dhe bashkëbisedoi me përfaqësues të institutit e ku pjesëmarrës në audiencë ishin edhe diplomatë, njohës të çështjeve ndërkombëtare e studentë.

Në njoftimin për media thuhet se zëvendëskryeministri gjatë fjalimit të tij përmendi shkallën që ai e ka quajtur si “impresionuese të uljes së papunësisë në vend, si dhe rritjen ekonomike e indikatorët makro ekonomikë pozitiv të cilët përmirësuan performancën e shtetit në tri vitet e fundit”.

“Duke theksuar se regjistrimi i popullsisë i cili po zhvillohet është i rëndësishëm për pajisjen me të dhëna të sakta e ngritjen e politikave të mirë targetuara, ai shtoi se në vazhdimësi është punuar në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Nënvizoi se zhvillimi që ka njohur vendi ynë ka ardhur përtej barrierave me të cilat jemi përballur, dhe se eliminimi i tyre zgjeron mundësitë, kapacitetet e potencialin tonë për avancim të mëtejshëm demokratik”, thuhet në njoftim.

Më tej, ai theksoi se është e rëndësishme të sigurohemi që kjo rritje ekonomike të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Bislimi përmendi edhe arritjen e liberalizimit të vizave, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022, si dhe synimet e objektivat e vendit në procesin e integrimit evropian në prag edhe të Presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së nga Hungaria, rëndësinë e zgjerimit dhe Planit të Rritjes të BE-së, punën e përpjekjet tona në këtë drejtim si dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për interesin e shfaqur për ta njohur më shumë situatën në vend, sfidat me të cilat përballet Kosova dhe objektivat tona për të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Para fillimit të sesionit të diskutimit, zëvendëskryeministri Bislimi u mirëprit në takim edhe nga drejtuesi i këtij instituti, Gladden Pappin.

Lini një Përgjigje