Bislimi thotë se nënshkroi marrëveshje të dëmshme në Bruksel

0
185

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili e ka nënshkruar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë me Serbinë, ka thënë se ka qenë i detyruar ta bëjë një gjë të tillë për shkak se po ta anulonte marrëveshjen, Kosova dhe Serbia do të futeshin në rinegociim që do të zgjaste me vite.

Rinegociimi i marrëveshjes, sipas Bislimit, do t’i konvenonte palës serbe, sepse sipas tij do ta vononte një marrëveshje të mundshme gjithëpërfshirëse në mes dy vendeve.

“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-të dhe 15-tës, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar të futet në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, ka thënë Bislimi në Rtv Dukagjini.

Anulimi i marrëveshjes, sipas Bislimit, ka mund të bëhet në vitin 2015 dhe jo në vitin 2022.

“Marrëveshjen në 2015 e ka nënshkru personi, i cili ka mundur ta anulojë pa fillu fare implementimin e saj, nga 2015 deri në 2022 janë 7 vite, apo 2 mijë e 300 ditë dhe ka ndryshu situata në terren”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri e ka cilësuar të dëmshme marrëveshjen e arritur dhe sipas tij kjo u është bërë e ditur edhe Brukselit.

“Në qoftë se ju mendoni që do të kishte qenë në interes të Kosovës, të merremi edhe me vite me rinegocim të cilën nuk e kontestoj dhe e kemi thënë në Bruksel dhe e dinë edhe ata që është e dëmshme, dhe të largohet fokusi nga marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.

Tutje Bislimi ka thënë se situata ka ndryshuar dhe jo qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti.

Marrëveshjet e konsideruara si të dëmshme në të kaluarën, Lëvizja Vetëvendosje i quante tradhti kombëtare.