Blerim Reka do të garojë me numrin 1 në zgjedhjet presidenciale

0
310

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) sot ka tërhequr shortin për numrin rendor të kandidatëve në fletën e votimin në zgjedhjet presidenciale, transmeton Portalb.mk.

Më 21 prill, në fletën e votimit kandidatët do të renditen siç vijon më poshtë:

Me numrin rendor 1 do të jetë kandidati i pavarur, shqiptari i vetëm në këtë garë, Blerim Reka; me numrin 2 do të garojë kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska; dhe me numrin 3 do të garojë kandidati i 30 partive politike, Stevo Pendarovski.

Kryetari i KSHZ-s, Oliver Derkoski, ka apeluar që kandidatët t’u shmangen paraqitjeve publike dhe deklaratave deri më 1 prill, kur edhe zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore, për të përfunduar më 19 prill.

Pas kësaj do të pasojë heshtje zgjedhore prej 48 orësh.

Rrethi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale do të jetë më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj.

Rreth të dytë të zgjedhjeve do të ketë nëse asnjë kandidat për president nuk e fiton shumicën e nevojshme të votave.

Shefat e shtabeve zgjedhore kanë premtuar fushatë zgjedhore të qetë, evropiane dhe demokratike.

Bashkë me zgjedhjet presidenciale, do të mbahen edhe zgjedhjet lokale në tri komuna: Dibër, Ohër dhe Novoselë.