Bllokohet për 9 orë në borë, shpëtohet 24 vjeçari nga Shkodra

Një 24 vjeçar nga Shkodra që nga ora 10:00 e ditës djeshme kishte mbetur i bllokuar në fshatin Ndërmollas të njësisë Postribë.

Mursel Sykaj po kthehej drejt stanit të tij ku momentalisht ndodhej bashkë me familjen, por kishte mbetur në mes të borës, e cila aty shkonte deri në 1 m 80 cm. Menjëherë 24 vjeçari kishte njoftuar me celularin e tij të afërmit për bllokimin në mes të borës.

Familjarët kanë njoftuar Shtabin e Emergjencave Civile. Fillimisht një helikopter është nisur për ta marrë, por pas dy tre tentativash helikopteri nuk ka mundur të ulet për shkak të motit të keq.

Në këtë mënyrë e vetmja mundësi ka qenë vetëm përmës tokës. Kështu në Prekal kanë mbërritur disa grupe të FNSH dhe dy grupe të efektivëve bashkë me disa banorë të zonës janë nisur në këmbë në orët e pasdites.

Pas rreth dy orësh ecje në këmbë në mes të borës është arritur që 24 vjeçari të gjendet. Menjëherë forcat e FNSH e kanë marrë 24 vjeçarin duke bërë që ky i fundit t’i shpëtojë bllokimit.