BQK shtrëngon kompanitë e sigurimeve

Banka Qendrore e Kosovës i ul shpenzimet operative kompanive të Sigurimit nga 35 për qind në 24 për qind, me qëllim të ruajtjes së siguruesve.

“Me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të stabilitetit të sektorit të sigurimeve, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka miratuar Rregulloren për Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative të siguruesve”, thuhet në komunikatën e Bankës Qendrore të Kosovës.Kjo rregullore, thuhet në komunikatë, përcakton kriteret dhe kufizimet për menaxhimin e komisioneve dhe shpenzimeve për siguruesit jo jetë, si dhe përcakton nivelet e lejuara të komisioneve të ndërmjetësimit dhe shpenzimet operative.

“Zbatimi i kësaj rregulloreje do të mbikëqyret nga BQK-ja në mënyrë të plotë përmes raportimit nga ana e siguruesve dhe mbikëqyrjes në vend”.

Kufizimi i shpenzimeve për komisionet e ndërmjetësimit dhe shpenzimeve operative do të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës financiare të këtij sektori, dhe rrjedhimisht në rritjen e kapaciteteve të siguruesve për të paguar dëmet ndaj palëve të dëmtuara.

Miratimi i kësaj rregulloreje është në vazhdën e aktiviteteve të tjera të ndërmarra së fundmi nga BQK-ja për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve.

BQK, tregon se është e përkushtuar në marrjen e të gjitha masave dhe veprimeve të nevojshme për të përmbushur detyrat e saj ligjore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar dhe mbrojtjes së interesave të publikut.