Bugajski: Vuçiq po udhëzohet nga patroni i tij Putin për ta destabilizuar Ballkanin

0
351

Pas publikimit të hulumtimit të Associated Press, ku dëshmohet furnizimi i Serbisë me armatim të sofistikuar kinez nëpërmjet rrgëve ajrore të Turqisë, ka reaguar analisti i njohur Janusz Bugajski.

Bugajski, ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po merr instruksione nga patroni i tij, presidenti rus Vladimir Putin, për ta destabilizuar Ballkanin.

Bugajski ka vlerësuar se anëtarësimi i shpejtë i Kosovës dhe Boznjë Hercegovinës në NATO, është esencial për ta parandaluar një luftë të mundshme.

“Vuçiq është udhëzuar nga patroni i tij Putin për ta destabilizuar Ballkanin. Përshpejtimi i anëtarësimit në NATO për Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovë, është esencial për ta parandaluar luftën”, ka shkruar Bugajski në Twitter.

Sot, AP raportoi se aleati i Rusisë, Serbia ka pranuar një sistem të sofistikuar kundërajror kinez në një operacion sekret këtë fundjavë, mes shqetësimeve perëndimore se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.

Lidhur me këtë zhvillim të ri, sot kanë reaguar shefi i Stafit të Presidentes, Blerim Vela si dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Shefi i stafit të kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka shprehur shqetësim mbi këtë zhvillim, meqë thotë se kjo është dita e dytë që ndodhë një gjë e tillë, dhe se anëtarësimi i Serbisë në Evropë duhet të ndalet.

“Dita e dytë e dërgesave të armëve kineze në Serbi: disa fluturake të PLAAF (Forca Ajrore Kineze) fluturuan mbi Bosfor gjatë rrugës për në Bazën Ajrore Batajnica për të dorëzuar Guizhou Aerospace, nga industria Shaanxi Yelloë River Group prodhuar në versionin HQ22 Red Banner SAMK, për eksport”, ka shkruar Vela në një postim në Twitter.

Ndërkaq, Hoxhaj theksoi se bota ndodhet në një epokë kur shtetet ndahen në demokraci kundër autokracive. Sipas tij, Kina dhe Serbia kanë zgjedhur këtë të fundit për të qenë bashkë.

“Dërgesa e fundit i armëve nga Kina në Serbi, më parë edhe nga Rusia, përbën një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën. Jemi në një epokë kur shtetet ndahen në demokraci kundër autokracive. Kina dhe Serbia kanë zgjedhur këtë të fundit për të qenë bashkë.”, ka shkruar Hoxhaj.

Vuçiq paralajmëroi se të martën ose të mërkurën do të prezantohen armët e reja, të cilat do të jenë “më të fuqishmet që ka pasur Serbia deri tani”.