Burri shqiptar e “gjen” këmbën e tij të prerë, të stampuar në një paketë cigaresh

Një burrë 60 vjeç në lindje të Francës tha se është habitur kur ka zbuluar se fotografia e këmbës së tij është përdorur në paketat e cigareve pa pëlqimin e tij. Fotografia është nxjerrë në paketat e cigareve brenda Bashkimit Evropian, së bashku me mesazhin: “Pirja e duhanit i bllokon arteriet”.

Por, burri shqiptar, i cili jeton në Metz, tha se ka humbur këmbën e tij si pasojë e një sulmi në Shqipëri në vitin 1997. Fotografia është zbuluar nga djali i tij, kur ai ka blerë një paketë cigaresh vitin e kaluar në Luksemburg, raportojnë mediat franceze.

Ai e ka sjellë paketën në shtëpi te familja dhe babai i tij ka konfirmuar se fotografia është pamje e këmbës së tij. Shqiptari thotë se nuk ka pranuar kurrë që fotografia e tij të përdoret. Ai beson se ajo është marrë në një spital lokal, ku ai ka qenë për vizitë për të parë nëse mund të pajiset me protezë.

“Është e pabesueshme që një person e gjen veten, pa pëlqimin e tij, në paketimet e cigareve në të gjithë Bashkimin Evropian”, tha avokati i tij, Antoine Fittante. Avokati tha se po kontakton Komisionin Evropian për të zbuluar se çfarë ka ndodhur.