Bytyqi: Së shpejti arrihet marrëveshje me SBASHK-un për kompensimin e orëve të mësimit

Ministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyqi ka thënë se shumë shpejt mund të ketë marrëveshje MASHT-SBASHK për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim.

Bytyqi, në emisionin “Përballje” në RTV Dukagjini, ka thënë se nuk ka inate me SBASHK-un dhe kreun e saj, Rrahman Jasharaj.

“Besoj se shumë shpejt do të kemi një marrëveshje të përbashkët me SBASHK-un. As nuk e vë në dyshim. Unë nuk punoj me inate. Kur e shoh që një palë është e interesuar të jetë palë bisedimesh, jam i gatshëm të ulem me ta. Në këtë formë do të jemi në takim edhe me SBASHK-un dhe do ta gjejmë zgjidhjen”, tha ai.

Po ashtu, Bytyqi ka shtuar se vendimi për zëvendësimin e orëve nuk është marrë vetëm nga ministria, por sipas tij ka pasur koordinim edhe me drejtoritë komunale të arsimit dhe Këshillin e Prindërve.