Bytyqi: Vrasësit e vëllezërve të mi, Vuçiqi i futi në Parlamentin serb

Ilir Bytyqi, vëllai i tre dëshmorëve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – që u vranë pas përfundimit të luftës nga forcat serbe, ka folur për rastin e vrasjes së vëllezërve të tij.

Bytyqi, i cili këto ditë ka qëndruar në Kosovë, ka takuar pothuajse të gjithë liderët e institucioneve shtetërore në Kosovë.

Ai ka thënë në emisionin “Përballje”, në RTV Dukagjini, se qëllimi i kësaj vizite është që të propozojnë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës.

“Qëllimi i rezolutës ka të bëjë me vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe të zhdukurve të tjerë në Kosovë, në mënyrë që t’i bëhet me dije Serbisë se nuk mund t’i fsheh krimet e kryera në Kosovë”.

Vëllai i tre dëshmorëve ka thënë se në bazë të njohurive të tij, hetimit për vrasjen e vëllezërve Bytyqi i ka ardhur fundi dhe se për vrasësit edhe Vuçiqi ka informacion.

Ai ka thënë se së bashku me vëllain Fatosin dhe disa kongresistë amerikanë kanë takuar presidentin serb, i cili edhe ka përmendur emrin prej njërit prej vrasësve të vëllezërve të tyre.

“Vuçiqi na ka thënë se i di dy emrat që janë të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi. Njëri nga ta është Goran Radosavleviq – Guri dhe një emër tjetër”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Bytyqi ka thënë se drejtësia nuk po shkon në vend për rastin e vrasjes së vëllezërve të tij, pasi si thotë se Vuçiqi ka mbrojtur dhe sot mbron kriminelët e luftës.

“Presidenti i Serbisë i mbron kriminelët e luftës. Shumë kriminel përfshirë edhe ata që kanë vrarë vëllezërit e mi sot janë në Parlamentin e Serbisë, madje janë në partinë e vet Aleksandar Vuçiqit”, tha Ilir Bytyqi.

Lini një Përgjigje