Cakaj: Dikur vendi më i izoluar në Evropë, sot Shqipëria kontribuese aktive në NATO

0
232

Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, është duke qëndruar në Washington me rastin e shënimit të 70 vjetorit të themelimit të NATO-s.

Cakaj tha se ministeriali i NATO-s në Washington kësaj radhe nuk ishte vetëm afirmim i unitetit të brendshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, por ishte edhe moment reflektimi për përpjekjen në shërbim të vlerave të demokracisë

“Shënimi simbolik i 70 vjetorit të themelimit të NATO-s ishte edhe moment reflektimi për përpjekjen shumëdekadëshe të kësaj ndërmarrje në shërbim të vlerave themeltare të demokracisë përballë kërcënimeve të tiranisë komuniste”.

“Për më shumë, duke qenë se ky ministerial përkoi edhe me 10 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ai ishte edhe një tregues i fuqishëm i transformimit rrënjësor institucional të Shqipërisë ndër vite dhe dëshmi e kursit të saj të patjetërsueshëm euroatlantik”.

Cakaj gjithashtu tha se sot Shqipëria është kontribuese në NATO me angazhime të veçanta.

“Shqipëria sot është kontribuese aktive në NATO me angazhime të veçanta (mes tjerash) në Kosovë, Afganistan, Letoni dhe Detin Egje. Dikur vendi më i izoluar në Europë, Shqipëria tashmë është kthyer në një kontribut-dhënëse përmbajtësore në sigurinë botërore dhe mbështetëse e pakursyer e vlerave euroatlantike. Krenar që jemi NATO! #ËeAreNATO”, ka shkruar Cakaj në rrjetin social Facebook.