Caktohet seanca për ministrat që gjuajtën me armë në odën e Limajt

0
596
Më 11 shkurt të këtij viti do të dalin para Gjykatës zyrtarët e shtetit, të cilët gjuajtën me armë në odën e Fatmir Limajt, në Banjë të Malishevës. Gjykata Themelore në Gjakovë, dega Malishevë, ka caktuar seancën fillestare ndaj dy ministrave, Endrit Shalës dhe Dardan Gashit.

Fundi i nëntorit të 2017-s i kishte bërë bashkë Dardan Gashin, Endrit Shalën e Sami Lushtakun në odën e zëvendëskryeministrit, Fatmir Limajt, për të festuar lirimin e këtij të fundit nga të gjitha akuzat sa ishte ministër i Transportit.

Për të festuar lirimin e Limajt, zyrtarët shtetërorë kishin gjuajtur edhe me armë. Për këtë rast, ata pritet të dalin para Gjykatës më 11 shkurt të këtij viti.

“Për shkak të interesimit të vazhdueshëm të mediave për lëndën P.nr.197/2018, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka caktuar seancën fillestare ndaj të akuzuarve E.SH., D.G., etj për vepër penale të “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Seanca në fjalë do të mbahet ditën e hanë, datë 11 shkurt 2019 në degën e Malishevës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës.

Gazeta Express kishte raportuar disa herë për zvarritjen e këtij procesi gjyqësor. Për vonesën në caktimin e seancës fillestare, në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ishin arsyetuar me numrin e madh të lëndëve.

“Duke qenë se Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, nga fillimi i vitit 2018 e deri në fund të këtij viti ka mbetur me një gjyqtar të vetëm në Divizionin Penal, dhe si rrjedhojë janë krijuar një numër i madh i lëndëve, lëndët e pranuara gjatë vitit 2018 kanë qenë në pritje për t’u ndarë deri nëemërimin e gjyqtarit të ri”, kishin thënë nga Gjykata për Express.

Ngritjen e aktakuzës ndaj zyrtarëve të shtetit që gjuajtën me armë në odën e Limajt e kishte konfirmuar prokurori, Ismet Tofaj për Gazetën Express.

“Është ngritur aktakuza ndaj gjashtë personave”, kishte thënë Tofaj.

Por, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë nuk kishte pranuar të japë detaje të tjera duke përsëritur se aktakuza është ngritur për gjashtë persona të përfshirë në gjuajtje me armë në Banjë të Malishevës.

Zëvendëskryeministri Dardan Gashi, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Endrit Shala ishin xhiruar teksa kishin gjuajtur me armë në ditën kur Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat sa ishte ministër i Transportit.

Pas publikimit të këtyre pamjeve kishin nisur hetimet. Policia kishte marrë në pyetje të dyshuarit, ndërkohë, pesë muaj më vonë rezultoi me aktakuzë.

Përpos tre zyrtarëve të Shtetit, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj tre personave të tjerë. Prokurori nuk i ka dhënë emrat e gjithë të akuzuarve.

Veprimet e zyrtarëve të shtetit, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i kishte arsyetuar, duke i ndërlidhur me traditën shqiptarëve.