Çfarë kërkuan sot në Kosovë zyrtarët e Gjykatës Speciale?

Ky muaj me gjasë do të shënojë edhe epilogun e ngritjes së aktakuzave të para të Speciales për ish-ushtarët e UÇK-së. Në Kosovë sot po qëndrojnë zyrtarë të Dhomave të Specializuara të Prokurorisë.

Dhjetori pritet të jetë muaji vendimtar për ngritjen e aktakuzave të para nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë, shkruan lajmi.net.

Ndonëse nuk ka indikacione se në cilën periudhë të muajit të fundit të vitit pritet ngritja e aktakuzave, sot në Kosovë po qëndrojnë zyrtarë të institucionit akuzues të Hagës.

Ata kanë zhvilluar një takim përmbyllës me avokatët e akredituar nga Specialja.

“Së shpejti pritet edhe ngritja e aktakuzave. Sot është një takim në ora 16:00, dhe ku besoj se do të marrim informacione më konkrete. Takimi do të bëhet vetëm me avokatët e akredituar nga Specialja”, thotë për lajmi.net njëri nga avokatët që gjendet në listën e të akredituarve nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë.

Sidoqoftë, para këtij takimi të sotshëm, në opinion nuk janë bërë publike më ftesa të reja për ish-ushtarë të UÇK-së.

Zhvillime pati vetëm për intervistimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që u shtye për 10 dhjetor.

Informacione për punën e Speciales nuk kanë as nga OVL e UÇK-së. Nënkryetari i saj, Nasim Haradinaj për lajmi.net thotë se ata janë gjatë gjithë kohës në terr informativ, përjashtimisht kur të ftuarit e mundshëm paraqiten vetë në organizatë.

“Aktualisht s’kemi asnjë informacion të ri përveç shtyrjes së intervistimit të Kadri Veselit. Ne jemi gjithmonë në terr informativ, përveç rasteve kur të ftuarit paraqiten vetë tek ne. Ata kanë të drejtë edhe të mos paraqiten dhe mos ta bëjnë ftesën publike. Për momentin s’kemi asgjë konkrete”, ka thënë Haradinaj për lajmi.net.

Zyrtarë të Speciales, siç mëson lajmi.net tash e një kohë janë duke ua marrë pasaportat të ftuarve në cilësi të të dyshuarve.

Kjo është bërë nën qëllimin e rregullimit të vizave për këta individë, por gjithnjë edhe nën tendencën që të njëjtit mos të kenë mundësi të largohen jashtë shtetit.

Siç mëson tutje lajmi.net nga persona të ftuar nga Specialja, zyrtarë të këtij institucioni disave prej personave që i ka ftuar ua ka marrë edhe leternjoftimet.

Sidoqoftë, takimi i sotëm mes avokatëve të akredituar të Speciales dhe zyrtarëve të këtij institucioni pritet të përcillet edhe me veprime konkrete në një të ardhme të afërt.

Nga akterë të ndryshëm në Kosovë nuk janë përjashtuar as arrestimet e mundshme të të ftuarve të deritanishëm, teksa varësisht nga pesha e rastit për të cilin ata akuzohen ose janë dëshmitarë, mund të qëndrojnë në paraburgim deri në përfundimin e procesit gjyqësor.