Challandes publikon listën e futbollistëve për ndeshjet me Danimarkën dhe Bullgarinë

Përzgjedhësi i Përfaqësuesës së Kosovës, Bernard Challandes, ka publikuar listën e futbollistëve që do t’i ketë në shërbim për miqësoren kundër Danimarkës më 21 mars dhe për ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020 kundër Bullgarisë, më 25 mars.

Për herë të parë pjesë e Përfaqësuesës A do të jetë edhe Florent Hasani, anëtar i deritashëm i ekipit U21 dhe pjesë e skuadrës hungareze, Diosgyori, derisa në listën e Challandes janë rikthyer Bersant Celina dhe Bernard Berisha.

Grumbullimi dhe akomodimi i futbollistëve të Kombëtares do të bëhet, të hënën, më 18 mars, në hotel “Emerald”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.