Chelsea me vështirësi kundër Newcastle (video)

Pasi e mposhti Manchester Unitedin me rezultat 1:0 në xhiron paraprake, Newcastle United i krijoi vështirësi edhe Chelseat, mirëpo në fund u mposht me rezultat 1:0 në “Stamford Bridge”, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tetë të Premierligës.

Skuadra e Frank Lampard e dominoi ndeshjen e sotshme kundër Newcastle, duke e pasur 72 për qind të posedimit të topit dhe duke i bërë tetë goditje brenda kuadratit të portës kundërshtare, përderisa mysafirët s’e rrezikuan asnjëherë portën e Chelseat, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, ky dominim i Chelsea s’u përkthye edhe në rezultatin e ndeshjes, pasi që londinezët arritën të sigurojë vetëm fitore me epërsi minimale 1:0, falë golit të shënuar nga Marcos Alonso e të asistuar nga Callum Hudson-Odoi në minutën e 73-të të ndeshjes.

Trajneri Steve Bruce do të ketë qenë i kënaqur me paraqitjen e Newcastle gjatë pjesës së parë, pasi që skuadra e tij e vazhdoi formën e shfaqur në fitoren kundër Manchester Unitedit, duke qenë solidë në mbrojtje dhe duke krijuar rrezik në fazën e sulmit me Allan Saint-Maximin dhe Miguel Almiron.

Megjithatë, Chelsea krijoi raste të mira për të shënuar, vetëm njërën prej të cilave e shfrytëzuan. Djemtë e Lampardit nuk ishin shumë të saktë në fazën e sulmit para portës, megjithatë ata arritën t’i marrin tri pikët e ndeshjes.

Tani, Chelsea radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës, pozitë kjo që mund të ndryshojë pasi të zhvillohen edhe ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje, me 17 pikë të fituara nga nëntë ndeshjet e para – pesë fitore, dy barazimi dhe dy humbje.

Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për londinezët dhe ata do të shpresojnë ta vazhdojnë këtë ecuri të mirë edhe në mesjave, kur do të përballen me Ajaxin në kuadër të Grupit H të Ligës së Kampionëve.