Cikalleshi rrëfen sekretet e turqëve

Një nga mungesat e rëndësishme në këtë grumbullim të Kombëtares shqiptare është Sokol Cikalleshi, i cili luan në kampionatin turk. Cikalleshi është futbollisti që njeh në detaje kundërshtarin e radhës, pasi që nga sezoni 2015-2016 është pjesë e futbollit turk.

Bomberi i Kombëtares është optimist dhe në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” tregon sekretet e kundërshtarit dhe pikat e dobëta. Ai jep “recetën” e artë për shokët e repartit të tij, cilido që do të zbresë sot në fushë.

Sipas tij, Turqia mbetet një nga kombëtaret më të rrezikshme që kemi ne në grup, pavarësisht kësaj. Ka lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën nga momenti në moment. Me ardhjen e tij në stol, trajneri i ri Gynesh ka kthyer në kombëtare disa nga emrat e njohur të Turqisë.

“Mendoj se, edhe pse është në moshë madhore, Emre Belezoglu është një prej futbollistëve më kyç të kombëtares sepse edhe në Turqi po bën një kampionat shumë të mirë me Bashakshehirin, është lideri i tyre dhe po i çon drejt titullit kampion. Po ashtu kanë në sulm Burak Ilmaz. Kanë në portë një portier shumë të mirë dhe do të jetë një ndeshje shumë e luftuar. Megjithatë, do të doja që ne të bënim një lojë të mirë dhe të tregonim vlerat tona. Gjithashtu, uroj që Turqia të jetë në një ditë jo dhe në fund të jemi ne që ta fitojmë këtë ndeshje”, deklaroi Cikalleshi.

Cikalleshi shprehet se ka luajtur me portierin Mert te Bashakshehir dhe e njeh shumë mirë. Ai has vështirësi në lojën me këmbë dhe në goditjet tokazi.

Në momentin që portierit do t’i kthehet topi pas nga mbrojtësit turq, ne duhet ta presojmë dhe të mos e lejojmë që të luajnë lirshëm. Sepse duke bërë presion, ai mund të ç’ekuilibrohet dhe të krijohen situata në favorin tonë.