Cilat janë opsionet e mundshme të zgjidhjes së situatës?

0
435
Situata në të cilën ndodhet koalicioni qeverisës është pothuajse e pashpresë. Koalicioni qeverisës shpëton vetëm nëse Kryeministri Ramush Haradinaj tërhiqet dhe pranon ose tërheqjen e vendimit për taksën, ose suspendimin e saj. Në këtë rast  do të zgjidhej situata dhe do të vazhdonte koalicioni aktual të qeverisë.
Nëse Ramush Haradinaj nuk tërhiqet, ai ose duhet të shkojë në dorëheqje, ose do të largohet me mocion nga Kuvendi. Kështu që vendit i hapen dy mundësi: formimi i një qeverie të re ose zgjedhjet e parakohshme.
Zgjedhjet e parakohshme në këtë situatë nuk duket se do të jenë opsion i mundshëm për shkak të kundërshtimit të faktorit ndërkombëtar, i cili është i interesuar që sa më shpejt të hiqet taksa ndaj Serbisë dhe të vazhdojë dialogu e të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë. Zgjedhjet në këtë situatë janë gati të pamundura, edhe për shkak të mosmiratimit të buxhetit dhe jofunksionalitetit të KQZ-së.
Si do të mund të ecet tutje?
Sipas kushtetutës, pas dorëheqjes (mocionit) së kryeministrit, derisa Kuvendi të jetë funksional, presidenti nominon një kandidat tjetër nga partia (koalicioni) fitues i zgjedhjeve nga mandati aktual. Kështu që në lojë mbeten të gjithë, përveç AAK dhe LVV (këta nuk marrin pjesë në asnjë koalicion ku është PDK). Lista Serbe, pas heqjes së taksës do të mund të “përzihej” përsëri në formimin e qeverisë.
Kush do ta formojë qeverinë e re?
Duke u bazuar në sjelljet e partive politike nëpër situata të ngjashme, pra të formimit të qeverive kur deklarojnë se nuk marrin pjesë në qeveri me atë e këtë, dhe, në fund vendosin krejt ndryshe,  në “lojë” mbesin PDK me 23 deputetë, LDK me 28 deputetë, PSD me 12 deputetë, NISMA me 6 deputetë, AKR me 2 deputetë si dhe 20 deputetët e minoriteteve.
Në bazë të analizës së këtyre partive, koalicioni më i mundshëm në këtë situatë është LDK+PSD+NISMA+AKR+minoritetet, por edhe në këtë rrethanë duhet gjithsesi pajtimi i PDK-së për t’ua bartur nominimin e kryeministrit të ri, deri sa PDK pothuajse e ka të pamundur t’i bind të tjerët për të bashkëqeverisur në këtë mandat./Fokusi.info/