Çitaku: S’kemi shtiza për kolegët në opozitë, jemi në garë me VV-në

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se “shtizat” nuk i kanë për partitë e tjera opozitare, ndërsa garën e ngushtë e sheh ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo beson se qeverinë, pas zgjedhjeve, do ta udhëheqë kandidati i PDK-së, Bedri Hamza. Çitaku në një bisedë me Ekonomia Online ka theksuar domosdoshmërinë për të shkuar në zgjedhje sa më parë.

Sipas ish-ministres së Integrimit, ka regres të madh në ekonomi më këto tri vjet e gjysmë, dhe se siç tha ajo aleatët tanë kanë humbur besimin në udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe për fajin e kësaj qeverie po ndodh migrim masiv.

Ajo ka mohuar kategorikisht se ka pasur ndonjë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicion pas zgjedhjeve.

“Nuk ka asnjë lloj marrëveshje mes PDK-së dhe LVV-së, përveç kërkesës sonë si PDK që vendi sa më parë të shkojë në zgjedhje dhe mandati t’u kthehet qytetarëve. Kjo jo si dëshirë, por si nevojë dhe si domosdoshmëri. Vendi është në stagnim, kemi shënuar një regres të frikshëm në ekonomi, parametrat në migrim janë të tmerrshme, aleatët tanë kanë humbur besimin tek udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ne po insistojmë që të kemi zgjedhje sa më parë në mënyre që të ndalet ky degradim. Nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, nuk jemi në garë me të, ne jemi në garë me Albin Kurtin dhe LVV, dhe po synojmë që mandatin të ua kthejmë qytetarëve në mënyrë që Kosovës t’i vijë një qeverisje e përgjegjshme në krye me kryeministrin e ardhshëm Bedri Hamza”, thotë Çitaku.

Sipas saj, mundësia e vetme që të shkohet në zgjedhje, është përmes shpërndarjes së Kuvendit, teksa dorëheqjen e Kurtit s’e sheh të realizueshme, ndërsa përmend faktin se opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë.Kritikat i hedh edhe në adresë të partive të tjera opozitare, për të cilat thotë se nuk e kanë qëllimin e njëjtë, shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

“Situata është shumë e thjesht, tani për tani mënyra e vetme për të shkuar në zgjedhje është shpërndarja e Kuvendit. Për shkarkim të qeverisë nuk i kemi votat. E tërë opozita bashkë i ka 40 deputetë, ndërkaq dorëheqja nuk diktohet nga kërkesa jonë, ajo është vendim i kryeministrit aktual dhe nëse të gjithë po pajtohemi që Kosova i ka punët keq, që vendi është duke shkuar në drejtim të gabuar, atëherë prioriteti ynë duhet të jetë qëllimi, e qëllimi është organizimi i zgjedhjeve sa më parë, megjithatë kam dron që dritarja për një vendim të tillë po ngushtohet, megjithatë jemi munduar që në këtë proces si PDK të jemi konsistent në kërkesën tonë për zgjedhjet e reja qysh nga korriku i vitit të kaluar dhe të jemi bashkëpunues e përafrues dhe mos ta përdorim këtë situatë për të sulmuar njëri-tjetrin fare”, thotë tutje Çitaku.

Lini një Përgjigje