Çka i kërkuan në luftë anglezët kuzhinierit të UÇK-së

0
831

Baca Ganë, siç e thërrasin miqtë dhe të gjithë ata që e njohin, është gjellëbërës popullor që ka përgatitur ushqime për vite me radhë në më shumë se 3 mijë dasma dhe ahengje tjera në territorin e rajonit të Mitrovicës dhe më gjerë.

Gani Berisha, 72 vjeçar nga fshati Kçiq i Mitrovicës, në një intervistë për KosovaPress, deklaron se tash është lodhur dhe dëshiron të pushojë, derisa bën të ditur se që nga viti 1969 e ka ushtruar profesionin e tij, të cilin thotë se ende e do.

Berisha ka katër vjet që nuk është duke e ushtruar këtë profesion.

Ai thotë se kurrë nuk ka bërë dallime kur ka ndarë ushqimin, as për të zotin e dasmës, ndërsa çdo personi i ka vënë në tabëll nga 300 gram mish dhe fëmijëve, u ka servuar gjithmonë më pak.

Sipas tij, më lehtë është të ndash ushqim për 200 burra sesa për 100 gra.

Ai tregon po ashtu se fal asaj diplome nga ushtria, në vitin 1972, është punësuar si kuzhinier në KNI ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë, ndërsa për shkak të afërsisë së udhëtimit, në vitin 1982, vazhdon punën si përgjegjës kryesor kuzhine në Fabrikën e Tjegullave në Zveçan, e më vonë edhe në shtypshkronjën ‘Progres’ në Mitrovicë.

“Zanatin e kam mësuar në vitin 1966 si ushtar i ish Jugosllavisë në Sombor të Vojvodinës. Më 1968 e kam kryer ushtrinë, ndërsa më 1972 kam dhënë kualifikimin e lartë shtetëror në hotel ‘Union’ në Prtishtinë…Që 53 vjet e punoj këtë profesion deri para katër vitesh. Tash jam moshuar, po kam dëshirë me pushu fizikisht, psikikisht edhe jam larguar prej profesionit…Unë kam përgatitë ushqim prej vitit 1969 e deri para katër vitesh dhe me siguri mbi 3 mijë raste i kam që kam përgatitë ushqim…Kam punuar në ‘Ramiz Sadik’ 28 vjet e katër muaj si kuzhinier, pastaj e kam lëshuar ‘Ramiz Sadikun’ dhe kam ardhur në shtypshkronjë ‘Progres’ në Mitrovicë”, ka thënë Berisha.

Ka ndodhë, vazhdon ai, që në një dasmë të përgatis bukë për 620 dasmorë, ndërsa bën të ditur se kuzhinieri dhe kafexhiu kanë rolin kryesor në dasma dhe ahengje, sepse nëse është ushqimi dhe shërbimi i mirë, atëherë dasmorët janë të kënaqur.

“Kuzhinieri edhe kafexhiu ta zdrisin fytyrën në një dolli. Kafexhiu me qenë i mirë i qet çajat e mirë i përgatitë mirë, ndërsa edhe kuzhinieri njëjtë, kur është buka e mirë, është pastër, është taze. E tash e kanë bërë po i marrin të gatshme, Zoti e din kur e ka zier ai, ty ta bjen tash. Tjetër është ushqimi që përgatitet në shporet me dru. Si gjellërat, si çaji kur përvëlohet në shporet me dru është më kualitet…Deri për 620 persona i kam pas në numër për të cilët kam përgatit më së shumti”, theksoi Berisha.

Me fillimin e luftës në Kosovë, ai i bashkëngjitet radhëve të UÇK-së, duke qenë përgjegjës për kuzhinë i Brigadës 141 ‘Mehë Uka’, në Zonën Operative të Shalës, me ç’rast merr gradën e rreshterit për angazhimin dhe kontributin e tij të dhënë gjatë luftës.

”Me deputetin Ramiz Osmanin e Bares, ka qenë deputet i Shalës, kam hyrë në bisedë me të, pata dëgjuar që po formohet. Ai më ka thënë Bali Ganë, për një orë 40-50 veta lajmërohen, por po kemi problem për kuzhinier. I thash, problemin prej sot e ke heQ. I thash sjellma kerin ta marrë inventarin tim, sherpa, tablla, pjata, piruna, thika, lugët dhe krejt tjerat i thash. Të nesërmen ka ardhë me ker, jam ngjitur nalt, kam përgatitur, as vetë s’e kam ditur numrin e saktë veç deri 520-540 ushtarë kanë qenë aty ku kam përgatitur unë, sepse i kemi pasur pikat në dy tre vende ku kanë bërë ushtrime… Unë në fshatin Zabërgj kam përgatitur një kohë të shkurtër, pastaj në Bare, Bajgorë, Kovacicë, Vesekoc, Sllakoc, gjithandej…Kur u kry lufta kemi ardhur në Tavnik, kam përgatitur edhe aty një kohë të gjatë, e pastaj 84 veta prej nesh dolëm në pension me vjetërsi…Fort më nderojnë kur më shohin. Me i pa ushtarët kurrë nuk më lënë dorën në xhep me shti shembull në çaj ose kafe. Më thonë jo bali Ganë, ti na ke dhënë sa muaj e vite bukë, qysh ti me na pagu tash”, u shpreh ai.

Deri sa flet fjalë miradije për Brigadën 141 “Mehë Uka”, ai rrëfen një ngjarje interesante gjatë luftës, kur një ekip vëzhguesish nga Britania e Madhe kishin ardhur për t’u ushqyer në Shalë.

“Si Brigada 141 Mehë Uka, pasha këtë bereqet në Kosovë nuk ka pasur… Bile kam pas rast te Musovit në Bajgorë, kur i zumë ata ushtarët që i futëm në burg, erdhën vëzhguesit nga Britania e Madhe, kur më shihshin mua duke përgatitur në shporet të zi më kërkonin menynë, ju thash ku me gjet menynë në Bare o jaran, po rras barkun bukë se koke untë. U habitke qysh me këto kushte përgatitë kaq shijshëm”, sqaroi Berisha.

Ai thekson se di të përgatitë mirë edhe pjekurina të ndryshme, mish të fërguar, qofte, varësisht nga porosia që bën zoti i dasmës.

Berisha rrëfen problemet me të cilat është ballafaquar gjatë dasmave dhe tubimeve tjera, me ç’rast përmend humbjen e lugëve, pirunëve etj.

Ai tregon edhe një prej problemeve tjera, kur për shembull i është thënë se duhet të përgatisë për 200 persona, ndërsa kanë ardhur 260 persona, por siç u shpreh ai, asnjëherë nuk ka dështuar, për shkak se përvoja e kishte mësuar që gjithmonë të përgatisë më shumë.

Baca Ganë, që tani jeton në pension dhe i lumtur me familjen e tij, flet edhe në lidhje me fitimin për punën që ka bërë, ndërsa bën të ditur se iu ka ndihmuar shpesh në përgatitjen e ushqimeve si bashkëshortes, ashtu edhe familjarëve tjerë.

Ai tregon rastet kur ka punuar pa para, duke thënë se ato kanë qenë kryesisht raste të vdekjeve.

“Unë çmimin e kam pasur të prerë 100 marka, dhe brenda javës ka pasur raste që kam punuar në dy tre vende…Edhe pse jam larguar, këtë profesion e kam dashuri, e dua këtë profesion. Vallahi i kam ndihmuar bashkëshortes e kunatave, motrave besa… Unë i kam 9 fëmijë, 6 vajza e tre djem, dy tjerë më kanë vdekur…6 vajzat janë të martuara, kanë fëmijë, tre djemtë njëjtë. Djalin e vogël e kam ndal për vete, ky po më ndihmon po më këqyr, të tjerëve ju kam thënë Zoti ju bëftë çaren, mbajani kah të doni. Po mirë janë në përgjithësi, janë në Austri, Gjermani, në Zvicër…Ky djali i vogël që është ushtar tash, po, e din kuzhinën, e njeh profesionin, veç i kam thënë se tash është koha ndryshe, kanë ndryshuar gjërat, vazhdo si ushtar i mirë… Pa para më ka ndodhur me shku në dekë, n’dasmë s’kam shkuar kurrë. Kam pasur rast më ka thënë veresi, i kam thënë s’ka problem, punën ia k am kry dhe i kam thënë kur t’i jep Zoti ty, ti m’i jep mua, ndërsa në raste vdekje po, kam X raste. Si kam hyrë në oborr shembull e kam ditë çfarë jete dhe kushte ka. Më kanë thënë psh valla axhë me krejt e kemi kry veç me ty tash, ju kam thënë me mua kollaj, hallall i qoftë kësaj kufome, e s’i kam marrë para”, potencoi Berisha.