Dalin analizat për 13 raste të reja për koronavirus

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se analizat për 13 raste të dyshuara me virusin Covid-19, kanë dalë negative.

“Trembëdhjetë (13) raste të testuara në Covid 19 të shtunën mbrëma kanë rezultuar negative”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga data 8 shkurt e deri më tani janë testuar 220 mostra, ku pesë prej tyre kanë dalë positive.

“Nga data 08.02.2020 deri me 15.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 220 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej pesë prej tyre kanë rezultuar positive”, thekson komunikata.

“Pesë rastet pozitive për virusin SARS-CoV-2 janë: tri raste nga Stublla e Vitisë, (dy prej tyre kontakte të rastit të parë) i ardhur nga Bergamo e Italisë, njëri rast shtetase italiane me vendqendrim në Leskoc të Klinës si dhe një rast kosovare e ardhur nga Italia-Brescia me vendqëndrim në Bubavec-Malishevë. Pra tri raste janë të gjinisë femërore të moshës 20, 37, 39 vjeç dhe dy prej tyre të gjinisë mashkullore 77 dhe 42 vjeç”, bën të ditur MSH-ja.

Në orët e vona të mbrëmjes të datës 14.03.2020 janë testuar edhe 13 mostra tjera dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve si dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetë izolim shtëpia”

Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 875 thirrje, ndërsa në 24 orët e fundit janë pranuar 452 thirrje telefonike.

“Në IKShPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar p[r vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, njofton MSH.

Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve elektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore.

“Nga data 01.02.2020 deri me 15.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 7.326 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 479 udhëtarë, Merdare 3.328, Vërmicë 2.488, Jarinje 564, Dheu i Bardhë 109, Hani i Elezit 77, Kullë 224, Qafë Morinë 35, Bërnjak 11, Qafë Prush 8, Muçibabë 2 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë”, thekson MSH.