David Hale: Nuk ka ndryshuar përkushtimi ynë ndaj Kosovës

0
289

Në një intervistë, të cilën të plotë do ta lexoni më vonë, nënsekretari i shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ka ulur poshtë të gjitha spekulimet se raportet Kosovë – SHBA po eskalojnë.

Nënsekretari i shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Hale, pas takimeve që ka zhvilluar me krerët e shtetit, Presidentin, Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin, e ka dhënë një intervistë për dy media në gjuhën shqipe, Gazetën Express/T7, si dhe për Kohën Ditore, kurse nga mediat serbe Kossev.

Intervista, të cilën të plotë do ta lexoni pak më vonë, ishte e fokusuar në dialogun Kosovë – Serbi, i cili dialog, sipas z. Hale, do të duhej të përfundonte me “njohjen reciproke të të dy shteteve”.

Hale, në këtë intervistë, ka thënë se SHBA u takon palëve që të merren vesh, kurse SHBA do t’i mbështes në këtë proces. Zyrtari i lartë amerikan ka thënë që SHBA dhe shtetet e BE’së në përgjithësi kanë qëndrim të njëjtë për zgjidhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Hale gjatë kësaj interviste është treguar jashtëzakonisht i matur në përzgjedhjen e fjalëve, duke mos akuzuar asnjë lider të Kosovës si pengues të dialogut. Ai madje ishte i kujdesshëm edhe për cështjen e taksës.

Spekulimet e javës së kaluar se ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen nga Kosova, nëse Qeveria e Kosovës e pengon dialogun, nënsekretari i shtetit nuk i ka komentuar, por ka thënë që përkushtimi i SHBA’ve në Kosovë do të vazhdojë i pandryshuar.

“Asgjë nuk ka ndryshuar në përkushtimin tonë”, ka thënë ai.