Deklarata e fundit nga LDK: Sot presim të ndodhë koalicioni, Kryeparlamentari dhe Presidenti na takon neve

Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu ka konfirmuar se partia e tij nuk e ndryshon ofertën për koalicion dhe se qëndrimi i tyre është që të kenë kryeparlamentarin, 5 ministri dhe Presidentin.

Në një deklaratë për media pas përfundimit të takimit të kryesisë së LDK’së, Veliu ka thënë se ky është qëndrim i LDK’së dhe nuk kundërshtohet nga askush.

“Ne po presim nga vetëvendosje të deklarohet për ofertën tonë. Oferta jonë është për kryeparlamentarin, 5 ministri dhe president. Ky është qëndrim i organeve të LDK’së, këshillit të LDK’së dhe është qëndrim i yni s’e kundërshton askush”, ka thënë Veliu.
Tutje, ai ka shtuar se ka gjasa që sot të ndodhë takimi, dhe se pas këtij, pret që të ndodhë edhe koalicioni.

“Gjasat janë që të ketë takim sot sigurisht. Kemi procese të mëdha që na presin, VV duhet t’i shqyrtojë opsionet. Sipas mendimit tim koalicioni duhet të ndodhë sot”, tha ai.

Kujtojmë se VV’së i ka skaduar dje afati që t’i kthejë një përgjigje përfundimtare LDK’së sa i përket koalicionit.

Dy partitë tashmë më shumë se 100 ditë nuk po arrijnë të merren vesh për ndarjen e pozitave dhe formimin e Qeverisë./gazetametro.net