Demaliaj: Nuk do të lëmë guri pa lëvizur që taksa të mos hiqet

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka thënë se nëse taksa 100 për qind për mallrat serbe hiqet, Kosova do të kthehet shumë prapa.

Ai tutje ka shtuar se si opozitë nuk do të lejojnë që të dëmtohet shteti i Kosovës me heqjen e taksës.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se me 20 vjet përvojë parlamentare në Kosovë, Aleanca ka qenë pozitë e opozitë konstruktive.

Demaliaj ka thënë se janë të konsoliduar si opozitë, dhe veprimet e tyre varën nga ato veprime që do t’i ndërmarrë qeveria.

“AAK qëndron palë e palëkundur në qëndrimet e veta. Neve i kemi mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme, por besoj që kemi edhe bashkëpunim të opozitës. Nga PDK-ja ka pasur lëkundje po nuk ka pasur kërkesë për heqje të taksës. Ka pas koordinim mes partnerëve të koalicionit por nuk diçka të ngjashme tash për heqje të taksës. Neve nuk do të lejojmë në asnjë shkallë që të dëmtohet shteti i Kosovës me heqjen e taksës. Ne do të kthehemi shumë prapa nëse hiqet taksa”, ka thënë ai.

Demaliaj ka thënë se nëse Serbia sillet mirë dhe e njeh Kosovën, atëherë mund të hiqet taksa, duke shtuar së në kushtet aktuale nuk do të ishte e mirë heqja e saj.

Ai thotë se nuk do të lënë asnjë guri pa lëvizur që taksa të mbetet.

“Kemi akterë që kur është folur për mallra serbe ka pasur edhe protesta të përgjakshme, kanë rrotulluar kamionë për mos me hy produkte serbe. Nuk mendoj që VV ka mund të marrë ato vota për reciprocitet, ata nuk kanë lënë element pa shti në fushatë. E dimë se si ka ardhur Qeveria Kurti, ajo nuk është qeveri e shumicës. Është e domosdoshme që Kurti duhet të ndalet e ta verifikojë të kaluarën e tij opozitare”, ka thënë ai.

Ai thotë se beson se Kurti i ka mendtë në kokë për të mos e hequr taksën.

Demaliaj thotë se koordinatorët nuk kanë qenë shpikje por se janë trupa politik.

Sipas tij, qeveria Kurti do të ishte më mirë të merret me çështje të buxhetit se sa të shkarkojë koordinatorë.

Ai thotë se Haradinaj i ka lënë 1 miliard euro në buxhet për nevojat e shtetit, duke shtuar se nuk janë harxhuar rezervat shtetërore.

“Neve e dimë që qeveria ka qenë në dorëheqje. Për emërimet në AKI ka qenë bashkëpunim i presidentit dhe qeverisë”, ka thënë ai.

Lini një Përgjigje