Demarkacioni pritet të shkojë javën e ardhshme për votim në Kuvend

0
200

Marrëveshja e Demarkacionit pritet që shumë shpejt të dalë për votim në Kuvend.

Edhe pse më herët u raportua se kjo marrëveshje nuk do të hyjë në rend të ditës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit derisa të përfundojë vizita e kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë, kjo nuk ndodhi.

Periskopi ka siguruar dokumentin me rendin e ditës së mbledhjes së kryesisë e cila do të mbahet të hënën më 5 shkurt, e ku pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Periskopi mëson se kryesia e Kuvendit pritet që Marrëveshjen e Demarkacionit ta vendosë si pikë për votim në Kuvend në seancën e ardhshme.

Ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare si kjo, kërkon një shumicë prej dy të tretave në Kuvend, ose 80 nga 120 vota e deputetëve.

Koalicioni qeverisës ka aktualisht 61 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kryeministri Haradinaj, ka 10 deputetë dhe ata tashmë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin versionin e parë të marrëveshjes. Ngjashëm janë shprehur edhe gjashtë deputetët e partisë politike Nisma Social-Demokrate e udhëhequr nga Fatmir Limaj. Kundër Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është edhe Lëvizja Vetëvendosje që është në opozitë me 32 deputetë. /Periskopi/