Demostat ofron një version të Asociacionit: Modeli i Belgjikës Lindore po qarkullon në Paris e Bruksel

Emisarët ndërkombëtarë pas vizitës së djeshme që kanë zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd kanë ritheksuar fuqishëm se kërkojnë nga Kosova themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nga institucionet e Kosovës ende s’ka pasur ndonjë propozim se si do të mund të dukej dhe themelohej Asociacioni, ndërkohë instituti gjerman Friedrisch Ebert Stiftung e ka hartuar një draft të cilin edhe pritet që ta bëjë publik në ditët në vijim.

Por siç shkruan “Demostat” sot, një prej modeleve që po qarkullon në qarqet diplomatike si Paris e Bruksel është ai i Belgjikës Lindore. Siç shkruan kjo gazetë, shembulli i Ishujve Aland, Tirolit Jugor dhe Belgjikës Lindore po shihen si modele potenciale për zgjidhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Escobar e Lajçak pritet që modelin e “Belgjikës Lindore” t’ia propozojnë Kosovës për komunat me shumicë serbe

Në artikullin e publikuar në gjuhën serbe, “Demostat” ka elaboruar edhe mënyrën e funksionimit të këtyre modeleve mbi bazën e të cilave jetojnë pakicat.

Siç shkruan “Demostat” komuniteti gjerman folës në Belgjikë përfshin nëntë komuna, ka asamblenë, qeverinë dhe flamurin e vet.

Përgjegjësitë që ajo vendos kanë të bëjnë me shëndetin dhe mbrojtjen sociale, arsimin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore, formimin profesional, punësimin, median, turizmin, sportin, politikën lokale, si dhe financat.

“Falë sistemit politik shumë të decentralizuar të Belgjikës, “Ostbelgien” ka gjithashtu aftësinë për të vënë veton ndaj traktateve ndërkombëtare, duke përfshirë marrëveshjet tregtare të BE-së”, thuhet në artikull.

Ndërkohë theksohet që Parlamenti i tyre ka 25 anëtarë dhe njëri prej tyre është përfaqësuesi i komunitetit në Senatin federal belg.

Anëtarët e Parlamentit belg zgjidhen drejtpërdrejt. Qeveria e komunitetit gjerman folës përbëhet nga zv.presidenti dhe tre ministra të tjerë.