Deponojnë rreth 15 mijë euro false në bankë, arrestohen dy persona

Janë arrestuar dy persona të dyshuar për falsifikim të parave dhe mashtrim, njofton Policia e Kosovës.

Të arrestuarit dyshohet se në degën e bankës në Fushë Kosovë kanë deponuar 13 (trembëdhjetë) kartëmonedha nga 500 euro, si dhe në degën e bankës në Malishevë kanë deponuar 17 (shtatëmbëdhjetë) kartëmonedha nga 500 euro, në vlerë të përgjithshme 15000 mijë euro.

Komunikata e policisë:

Policia, më 08.05.2019, ka pranuar informatën nga zyrtarë të një banke, se në degët e saj në Fushë Kosovë dhe Malishevë, janë deponuar përmes bankomatit një shumë parash, që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Tutje thuhet se Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Prishtinës, ka filluar menjëherë hetimet intensive rreth këtij rasti. Policia ka grumbulluar të dhëna dhe prova të mjaftueshme të cilat kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në veprimtari penale ‘falsifikim i parasë’ dhe ‘mashtrimi’.

Më, 15 maj 2019, policia ka arrestuar dy të dyshuarit:

D. R. viti i lindjes 1991, m/k/sh dhe

F. Z. viti i lindjes 1996, f/k/sh.

“Të arrestuarit dyshohet se në degën e bankës në Fushë Kosovë kanë deponuar 13 (trembëdhjetë) kartëmonedha nga 500 euro dhe në degën e bankës në Malishevë kanë deponuar 17 (shtatëmbëdhjetë) kartëmonedha nga 500 euro. Vlera e përgjithshme e parave që dyshohet të jenë të falsifikuara është 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) euro”, thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit, janë intervistuar nga hetuesit policorë në prani të avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari D.R. dërgohet në mbajtje për 48 orë, kurse e dyshuara F.Z. lirohet në procedurë të rregullt.