Deputetët e dorëhequr kërkojnë 420 mijë euro nga Vetëvendosje

0
362

Dymbëdhjetë deputetët e dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje, që tanimë kanë krijuar Grupin e Ri parlamentar, po i kërkojnë nga 35 mijë euro për secilin ose 420 mijë euro për të gjithë.

Dje në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit të ri Parlamentar të deputetëve të dorëhequr nga Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, ka kërkuar që Vetëvendosje t’ia jap 35 mijë euro secilit deputet që i takojnë për një vit, sipas ligjit zgjedhor, shkruan Gazeta Express.

Gazeta Express mëson se shefi i Grupit të Ri parlamentar, Dardan Sejdiu, fillimisht do të bisedojë me Albin Kurtn, të cilit do t’i kërkojë që 420 mijë eurot t’u bartën atyre.

Në rast të mosarritjes së ndonjë marrëveshjeje “paqësore”, atëherë ndarja e mjeteve financiare për deputetë, do ta vendosë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sipas rregullores së Kuvendit.

Vetëvendosje është ndarë dje zyrtarisht në Kuvend, duke u krijuar Grupi i ri Parlamentar prej 12 deputetëve. Dje po ashtu edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi kaloi nga VV në Aleancen për Ardhmërinë e Kosovës prej të ciles ishte larguar në prill të vitit 2016.

VV tani ka 19 deputetë, duke u bërë GP i tretë më i madh në Kuvend, pas LDK-së dhe PDK-së, edhe pse me formimin e legjislatures së tanishme, VV hyri në Kuvend me 32 deputetë.