Deputetja e LDK-së- Albin Kurtit: Lëri lojërat politike, nuk jemi këtu për t’i bërë qefin askujt!

0
343

Nesër me datën 6 Janar, Presidenti i vendit Hashim Thaçi do të thërrasë në takim kryetarin e VV-së Albin Kurti për ta mandatuar për formimin e Qeverisë.

Por megjithëse Kurti nesër do të mandatohet për formimin e Qeverisë marrëveshja për bashkëqeverisje LVV-LDK duket larg e sidomos pas ndryshimeve të papritura me zgjedhjen në krye të Kuvendit të Glauk Konjufcës.

Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri në një prononcim për Gazeta Blic ka theksuar se deri tani nuk kanë asnjë ftesë nga VV-ja për vazhdimin e bisedimeve për marrëveshjen bashkëqeverisëse.

Gaxherri thotë se VV-ja si subjekt i parë e ka përgjegjësinë për formimin e Qeverisë.

“Ne si LDK nuk kemi patur ndonjë takim të Këshillit të Përgjithshëm pas lëvizjeve të fundit që Vetëvendosja propozoi nga radhët e saj Kryetarin e Kuvendit. Sa i përket asaj nëse do të vazhdojnë negociatat për marrëveshje kjo i mbetet Vetëvendosjes, a do të jetë në gjendje të ofrojë ofertë re për LDK-në apo çfarë do të bëjë. Vetëvendosja është subjekti i parë politik dhe ajo ka përgjegjësinë Kushtetuese që ti bëjë dhe numrat e deputetëve për të qeveris. Nuk kam ndonjë informatë konkrete por jam e sigurt se nuk ka lëviz asgjë. Të shohim nesër se si do të rrjedhë situata, z.Kurti duhet t’i lejë lojërat dhe makinacionet politike pasi ai ka marrë besimin dhe ka dalë i pari dhe ka përgjegjësinë të themelojë sa më shpejt Qeverinë ne vend pasi vendi ka muaj që është pa qeverisje”.

Deputetja e LDK-së thotë se Kurti duhet të qartësohet se çfarë do të bëjë sepse askush s’ka kohë të presë askënd.

“Përveç proceseve politike globale që janë rreth nesh mjaft të dëmshme ne kemi edhe probleme të brendshme siç janë ato ekonomike, shëndetësi dhe arsim. Prandaj z.Kurti duhet ta gjejë fuqinë nëse vërtet do të merr timonin e shtetit, përndryshe duhet të na tregojë dhe të bëjmë zgjidhje pasi ne jemi asete shtetërore dhe kemi obligime dhe nuk jemi këtu për ti bërë qefin askush askujt. Deri tani nuk ka pasur asnjë ftesë nga VV-ja të shohim nesër si rrjedhin gjërat” ka thënë Gaxherri për Gazeta Blic.Nesër bëhen 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në vend ku Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti i parë politik me 29 deputetë ndërsa LDK partia e dytë me 28 deputetë.

Megjithëse ka patur disa takime në mes të kryetarit të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, deri tani nuk kanë arritur të dakordohen, madje tashmë negociatat janë kthyer në pikën zero me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga radhët e VV-së.