Deputetja e LDK’së: Të martën duhet të fillojë mësimi ose Qeveria të japë dorëheqje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka qortuar qeverinë e vendit për dështimin e saj që të gjejë një zgjidhje për rifillimin e procesit mësimor në vend.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar të dielën se nuk do të ndërpresë grevën e nisur dy javë më parë deri në plotësim të kërkesas së saj – rritjen e koeficientit të mësimdhënësve në Ligjin për pagat.

Të hënën do të nisë java e tretë e grevës.

E, Bajrami ka thënë, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, se deri të martën, ose duhet të fillojë mësimi, ose Qeveria e Ramush Haradinajt duhet të japë dorëheqje.

“Nëse arsimi po hyn në javën e tretë të grevës, ju së bashku me zëvendësit, 22 ministrat dhe 80 zëvendësministrat duheni urgjent të takoheni me SBASHK-un”, ka shkruar ajo.

“Ky takim duhet me zgjatë deri të arrini marrëveshjen për fillim të mësimit”, ka thënë Bajrami.

“Të martën duhet të fillojë mësimi ose Qeveria të japë dorëheqje, pasi që as detyrat e shtëpisë s’po arrini t’i kryeni”, është shprehur ajo.