Deputetja e PDK-së: Ka gjasa reale që gjatë javës së ardhshme të shpërndahet Kuvendi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, thotë se kryetari i këtij dikasteri politik është takuar me kryeministrin Albin Kurti me të vetmin qëllim për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Shoshi thotë se është dakorduar që nëse i kanë votat e deputetëve të ketë zgjedhje dhe të bëhet shpërndarja e Kuvendit.

Në studion e emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Shoshi thotë se data të mundshme për shpërndarjen e Kuvendit mund të jenë 30 qershori ose 7 korriku.

“Si parti demokratike që jemi kryetari ynë e ka vlerësuar në të mirë të vendit që të jetë pjesë e takimit dhe si udhëheqës i opozitës ka shkuar me kërkesë të qartë që e ka bërë të ditur edhe para se të merrte pjesë në darkë. Tema të cilën e ka kërkuar PDK-ja ka qenë data e zgjedhjeve dhe një gjë të tillë ne e kemi arrit. Pra, zotëri Kurti e ka bërë ftesën për agjendë legjislative”, deklaroi ajo.

Deputetja opozitare tha se çdo datë pas 14 korriku, PDK nuk e sheh pastaj të arsyeshme që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Ne kemi vlerësuar që duhet të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe kemi arrit që të kemi një dakordim që nëse i kemi numrat në Kuvend të Kosovës, nëse kemi pajtueshmëri si parti opozitare vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje dhe të bëhet shpërndarja e Kuvendit me votat e deputetëve. Na duhet 80 vota dhe një gjë e tillë do të ishte në të mirë të vendit tani për tani. Data të mundshme për shpërndarjen e Kuvendit mund të jenë 30 qershori apo 07 korrik, më e largëta 14 korrik. Çdo datë që shtyhet më vonë se këto të propozuara, ne si PDK nuk e vlerësojmë që ia vlen të kemi zgjedhje në vendin tonë, pasi e kemi parasysh që korriku dhe gushti janë pushim e pastaj mbesin edhe tre muaj që ligjërisht do të duhej të thirr presidentja zgjedhje të rregullta. Gjasat reale janë që të ndodh. Mirëpo, duhet të ketë koordinim me shefat e grupeve parlamentare”, tha Musliu-Shoshi.

Lini një Përgjigje