Dëshmia e Thaçit në Gjykatë: VV donte të na vriste, siç i vranë LDK-në

0
267
Fundi i dhjetorit të vitit të kaluar e gjeti Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin para Gjykatës. Ai u ftua si dëshmitar, lidhur me rastin “Syri i Popullit”. Seanca ishte mbyllur për media, ashtu që t’i jepet mundësia Thaçit të flas për ato që ai i quajti sekrete. T7 ka siguruar dëshminë që Presidenti kishte dhënë atë ditë në Gjykatë. I pari i vendit kishte akuzuar Vetëvendosjen për vrasjen e figurave të LDK-së, duke thënë se me vrasje ata synonin ta merrnin pushtetin.
T7 ka siguruar procesverbalin e seancës së mbajtur në fund të dhjetorit ku shihet se Thaçi kishte pasur frikë nga atentati që mund t’ia organizonte “Syri i popullit”.

Gjatë dëshmisë së tij, shefi i shtetit kishte akuzuar zyrtarë të Vetëvendosjes për disa prej vrasjeve të pasluftës. Derisa kishte deklaruar se me veprimet e kësaj organizate ishte cenuar rendi kushtetues i Republikës së Kosovës.

“Sa i përket shqetësimit tim për vrasje ka qenë serioz, kurse sa i përket etiketimit si tradhtar është më i vogli shqetësimi. S’jam ndier i shqetësuar  sepse nuk e kam marrë as edhe si fyerje. Unë them se me veprimet e anëtarëve të kësaj organizate kriminale është cenuar rendi kushtetues i Republikës së Kosovës”, kishte thënë Thaçi.

Thaçi në dëshminë e tij, thotë se organizatori kryesor të organizatës “Syri i Popullit” është ish anëtari Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, dhe krerët e kësaj partie.

“Njeri ndër organizatorët e kësaj organizate është i akuzuar Sadri Rambaja, pasi vetë ky ka dalë publikisht me idenë për marrjen e pushtetit, qoftë edhe me forcë, me dhunë, madje si aktivist i Vetëvendosjes. Dhe unë me veshët e mi i kam dëgjuar Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën duke thënë. “Këta do t’i vrasim se ndryshe nuk kemi si me i largu nga pushteti”, kishte thënë Thaçi.

Organizata “Syri i popullit”, sipas presidentit Thaçi, ka gisht edhe në vrasjen e figurave të njohura të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sadri Ramabaja dhe dy-tre njerëz të tjerë nga diaspora, duke mos qenë të zotë me i dalë zot vendit në luftë për liri, por nga qyqarllëku i nxitur nga shërbimet antiliri dhe pavarësi të Kosovës, për të ngjallur armiqësi në mes të shqiptarëve e për të kompromentuar UÇK-në, kanë lëshuar komunikata dhe deklarata që janë të përafërta. Pastaj duke vazhduar edhe së fundmi me pyetjet që i janë shkruar Murat Jasharit duke bërë thirrje për vrasjen prej presidentit Ibrahim Rugova, Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit, Xhemajl Mustafës, Enver Malokut dhe shumë veprimtarëve të tjerë”.

E i akuzuari për vepra terroriste Sadri Rambaja thotë se nuk ka të bëjë me akuzat që ia beri Presidenti Thaçi. “Në këtë kontekst që flet dëshmitari, flasin dy libra: Libri i Gafurr Elshanit dhe i Muhamet Kelmendit, por unë nuk kam të bëjë me këto libra. Ky hallin e ka te Lëvizja Vetëvendosje”, kishte deklaruar Ramabaja.

Ish lideri i PDK-së, kur është pyetur pse nuk i ka shpalosur deri më tani këto akuza kundër Ramabajës, Thaci ka thënë se nuk ka dashur të krijoj spektakël në opinion.

“Unë nuk kam dashtë me bë spektakël me destabilizu opinionin, andaj këtu në gjykatë duhet vërtetuar faktet dhe këtu duhet të thuhen gjërat, e këtu u besoj organeve të drejtësisë, i besoj shtetit të Kosovës”, kishte thënë Thaçi.

Ndërkohë, dëshminë e tyre i kanë dhënë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe deputeti i PSD-së, Faton Topalli.